A do të arrijë LDK të zgjedh një kryetar konsensual?

Lidhja Demokratike e Kosovës së shpejti do t’i mbaj zgjedhjet e brendshme.

Lajme

31/03/2019 17:35

Fatmir Sejdiu, Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani e kanë lënë të hapur mundësinë për t’i hyrë garës për të parin e LDK-së.

Përpos tyre, ende askush nuk është deklaruar se do t’i hyjë kësaj gare. Ambicie nuk janë shfaqur as nga dy nënkryetarët e tjerë të kësaj partie, Agim Veliu dhe Haki Rugova.

Mirëpo, ndarja në fraksione e LDK-së duket se do ta vështirësoj zgjedhjen e një kryetari konsensual pasi nuk dihet hapur se kush kë do ta përkrahë.

Ndërkohë, Isa Mustafa nuk e ka dhënë një përgjigje përfundimtare nëse do të rikandidojë për kreun e kësaj partie, shkruan lajmi.net.

Sejdiu, Haziri dhe Osmani janë pjesë e LDK-së qysh prej fillimeve të tyre në politikë.

Fatmir Sejdiu ishte kryetar i LDK-së dhe për pothuajse katër vite president i vendit.

Lutfi Haziri prej kur është pjesë e LDK-së, ka qenë kryetar komune, ministër, zëvendëskryeministër dhe deputet.

Vjosa Osmani vazhdon të jetë deputete e Kuvendit të Kosovës tash e disa mandate. Në zgjedhjet e fundit ajo ka dal si gruaja deputete më e votuar në historinë e Kuvendit.

Ndërsa, Avdullah Hoti i cili në zgjedhjet e fundit kandidoi për kryeministër të vendit, edhe pse nuk ka shfaqur publikisht ambicie për të parin e LDK-së, duket se nuk është përkrahur as nga zyrtarët e kësaj partie.

Theksojmë se zyrtarisht ende askush nuk e ka shpallur kandidaturën për kryetar të LDK-së.

Besian Mustafa zëdhënës i LDK-së ka thënë për lajmi.net se procesi zgjedhor në LDK sapo ka filluar dhe zyrtarisht askush nuk ka shpallur kandidaturën për kryetar.

“Kandidaturat  për kryetar të nëndegës, degës dhe partisë zyrtarisht shpallen në Kuvendin nëndegës, degës dhe të partisë. LDK është konfirmuar se është parti e hapur, ka potenciale të kuadrove dhe do të zhvillojë procedura të plota demokratike zgjedhore. Falë këtyre kuadrove dhe këtyre procedurave demokratike, LDK do vazhdojë të mbetet partia më e madhe dhe më demokratike në Kosovë”, ka thënë Mustafa.

Tutje, ai ka treguar se si zhvillohet procesi zgjedhor pa dhënë ndonjë datë të saktë se kur do mbahet.

“LDK ka 931 nëndegë dhe 38 degë. Fillimisht mblidhen Kuvendet e secilës nëndegë për të zgjedhur kryetarët dhe kryesitë e nëndegëve, pastaj mblidhen Kuvendet e degëve për të zgjedhur kryetarët dhe kryesitë e degëve dhe, fare në fund, tërë procesi kulmon me mbledhjen e Kuvendit të LDK-së ku zgjedhet kryetari dhe kryesia e LDK-së. Pra, është një proces që kërkon kohë dhe tani për tani nuk mund të flasim për datë të saktë të Kuvendit të LDK-së”, ka përfunduar ai. /Lajmi.net/