A do të arrihet marrëveshja: Nesër dita e fundit e ultimatumit të LDK-së ndaj VV-së

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ditën e martë i kishte dhënë ultimatum partisë së Kurtit, duke thënë e partia e tij mbetet tek oferta e fundit që i ka dërguar Lëvizjes Vetëvendosje për qeverisje të balancuar dhe me përgjegjësi të barabarta, dhe se deri në fund të javës të deklarohen se a janë për koalicion me LDK-në apo jo.

Lajme

25/01/2020 23:32

Nesër bëhet një javë që kur LDK dhe lideri i saj Isa Mustafa i dha ultimatum Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, që të vendosin deri në fundjavë nëse janë për një koalicion me LDK-në, apo të tregojnë se nuk  mund të arrihet kjo marrëveshje mes dy partive, shkruan Metro.

“Ne kemi dhënë një propozim që kemi vlerësuar se është propozim shumë i balancuar dhe kemi menduar që Vetëvendosja duhet ta trajton me vëmendje të veçantë dhe mbesim të hapur që të ulemi të bisedojmë, por ajo ulje dhe bisedë e jona të ketë përfundim sa më të shpejtë, mundësisht deri në fund të kësaj jave në mënyrë që ta bëjmë marrëveshjen ose të konstatojmë se nuk ka kushte që marrëveshja të bëhet, prandaj këtu mbesin në këto pozita, por gjithsesi me vullnet që të përfundojmë një marrëveshje që është në dobi të qytetarëve”, kështu ishte shprehur Mustafa ditën e martë.

Edhe pas këtij ultimatumi që nesër përfundon, VV-ja ende nuk është deklaruar se a do të pranoj apo do të refuzoj një propozim të tillë nga ana e LDK-së.

Mbrëmë është raportuar se këto dy subjekte politike janë takuar në villen e Isa Mustafës, në Prapashticë, por që ende nuk janë deklaruar zyrtarisht nëse është arrit një marrëveshje konkrete.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, sot në një postim në Facebook  ka lënë të kuptohet se dy partitë janë afër arritjes së marrëveshjes.

Ndërsa sa i përket VV-së, nuk kemi pasur deri me tani ndonjë deklaratë zyrtare sa i përket kësaj çështjes. Përveç reagime nga anëtar të Vetëvendosjes.

Nënkryetarja e Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, kishte deklaruar se pozita e Kryetarit të Kuvendit nuk do t’i jepet LDK-së, pas kërkesave të fundit nga kreu i saj Isa Mustafa, por që pajtohet me pjesën tjetër për një pushtet të balancuar në mes të VV-së dhe LDK-së.

Që nga përfundimi i zgjedhjeve, kanë kaluar 111 ditë, e gjatë këtyre ditëve ka pasur me dhjetëra takime në mes të LDK-së dhe VV-së por pa ndonjë rezultat konkret. Dy liderët e këtyre partive nuk ishin pajtuar për arsye të ndarjes së pushtetit.

Kujtojmë se oferta e fundit e LDK’së ndaj VV-së ishte që t’i takon pozita e Kryeparlamentarit deri më 2021, pozita e Presidentit dhe 5 ministri.