Takim me Kryeministrin Thaçi

Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës takohen fillimisht, sot, me Kryeministrin Hashim Thaçin, një ditë para takimit të tyre me Kryeministrin e Serbisë, Ivica Dacic.

Lajme

09/10/2013 09:45

Përfaqësuesit institucionalë dhe politikë të Luginës së Preshevës janë ftuar në një takim urgjent me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, raporton Portali ‘Titulli’.

Takimi, siç thuhet, është caktuar  për sot në orën 17:00 në Prishtinë.

Bekim Çollaku, Këshilltari i Kryeministrit Hashim Thaçi, i kontaktuar nga lajmi.net nuk e ka konfirmuar, por as nuk e ka mohuar mbajtjen e këtij takimi.

Ai ka kërkuar që të kontaktohet Zyra për Informim e Kryeministrit.

Delegacioni nga Lugina e Preshevës thuhet se takohet me Kryeministrin Thaçin, vetëm një ditë para takimit me Kryeministrin e Serbisë, Ivica Dacic, që ky delegacion i shqiptarëve do ta zhvillojë në Beograd.

Një politikani shqiptar i Luginës së Preshevës ka bërë të ditur se takimi me Kryeministrin Thaçi do të jetë konsultativ dhe ai lidhet drejtpërdrejt me takimin që të enjten do të zhvillohet Kryeministrin serb, Ivica Dacic.