Rrëfimi për Adnan Januzajn

Ai ishte emri i fundit në listën e ekipit të Sir Alex Fergusonit në Manchester United, por tani Adnan Januzaj mund të jetë një prej të parëve te paraardhësi i tij. Januzaj doli në skenë pas startit të ngadalshëm të David Moyesit si menaxher në Old Trafford duke realizuar dy gola në debutimin e tij…

Sport

08/10/2013 11:52

Ai ishte emri i fundit në listën e ekipit të Sir Alex Fergusonit në Manchester United, por tani Adnan Januzaj mund të jetë një prej të parëve te paraardhësi i tij.

Januzaj doli në skenë pas startit të ngadalshëm të David Moyesit si menaxher në Old Trafford duke realizuar dy gola në debutimin e tij si titullar, derisa ekipi u rikthye nga disavantazhi për të mposhtur Sunderlandin 2-1 të shtunën.

“Ky është një djalosh 18-vjeç, nuk është as 20 ose 21. Ky është një djalosh për të cilin të gjithë më kanë folur pasi erdha në klub”, deklaroi Moyes. Edhe pse shumëkush në Angli ka vështirësi t’ia shqiptojë mbiemrin, Ferguson e dinte saktë atë pasi e përfshiu si zëvendësues në ndeshjen e fundit në detyrë, në barazimin 5-5 kundër WBA-së në maj.

I riu nuk ishte shfrytëzuar por ishte një shenjë e mirënjohjes për futbollistin më të mirë të vitit në ekipin e dytë. “Nëse Sir Alex e inkuadron një të ri në pankinë, ju duhet të dini se ai ka shanse shumë të mira. Ai ka stërvitur me ekipin e parë, që tregon se është në të njëjtin nivel me futbollistët e formacionit bazë”, deklaroi ish trajneri i ekipit të rinjve në United, Eric Harrison për BBC Sport.

Januzaj erdhi në Manchester më 2011 për rreth 300 mijë funte pas gjashtë vjetësh te klubi belg, Anderlecht. “Ai është futbollist shumë i talentuar dhe Manchester United e vërejti në moshë të re”, deklaroi ish portieri i Belgjikës, Nico Vaesen, i cili tani vepron si menaxher.

“Ai është nën mbikëqyrjen e babait, i cili e zhvendosi familjen e tij në Manchester kur Adnani kaloi te United. Do të jetë babai ai që ka ndikim të madh se në cilin shtet do të luajë Adnani”, shtoi ai. Dhe, kjo mund të jetë një dilemë e madhe për futbollistin me prindër nga Shqipëria dhe Kosova, i cili lindi në Belgjikë kurse tani jeton në Angli.

“Kur ishte fëmijë, babai i tij e parandaloi të luante për ekipet Kombëtare të grupmoshave të reja”, deklaroi Jean Kinderman, kreu i sektorit të rinjve në Anderlecht. “Ai mund të ketë luajtur shumë herë për ekipet U-15, U-16 por babai i tij e përqendroi vetëm në edukim dhe Anderlecht”.

Januzaj ka treguar se e kishte “topin në këmbë” nga mosha pesë vjeç. Në nivelin U-12 ai luajti me të futbollistë që ishin më të moshuar se ai. Derisa te United ka marrë numrin 44, në Anderlecht e mbante numrin 10.

“Ai bëri ndikim të madh, një talent të tillë nuk e shihni qdo vit. Ai u vequa për shkak të aftësive teknike, mënyrës se si e mbronte topin, fakti se gjithmonë merr përgjegjësinë, dhe ndjenjës fantastike për lojë. Ai ishte fizikisht shumë, shumë i njomë kur e humbëm tre vjet më parë. Tani duket si një atlet i vërtetë, kur u largua prej këtu ishte një djalosh i vogël”, u shpreh Kinderman për BBC Radio 5 Live.

Me kontratën në skadim në fund të këtij sezoni dhe interesimit nga rivali i qytetit Manchester City, e ardhmja e Januzajt nuk është e garantuar se do të jetë në Old Trafford.

Por, ish futbollisti dhe menaxheri i Unitedit, Wilf McGuiness, biri i së cilit Paul tani drejton ekipin U-18 të Unitedit, beson se Januzaj është rrugës për tu bërë ikonë e klubit.

“Duke e shikuar Adnanin më kujtohen futbollistë si Bobby Charlton, Duncan Edwards dhe Eddie Colman që depërtuan në United”, deklaroi McGuiness.

“Ju e dinit se ata kishin kualitete të mëdha. E kam shikuar shumë për ekipin e dytë dhe gjithmonë më ka lënë përshtypje me kontrollin e tij, lëvizjet dhe aftësitë. Ai duket mirë dhe nëse qëndron në United do të përfundojë në krye. E di se të gjithë në Old Trafford janë vërtetë të kënaqur me të”.

Januzaj, i cili ndanë ditëlindjen e tij (5 shkurt) me ish yje të Unitedit si Cristiano Ronaldo dhe Carlos Tevez, erdhi në Old Trafford si 16-vjeç dhe bëri ndikim të menjëhershëm. “Kur erdhi së pari ai ishte i mirë sa edhe pritej, pa dyshim”, shtoi Harrison i cili ndihmoi zhvillimin e David Beckhamit, Ryan Giggsit, Gary Neville dhe Paul Scholes, dhe është kompetent për të dhënë vlerësime.

“Me një talent të tillë ju mjafton ta shikoni vetëm një herë për ta vërejtur. Aftësitë e tij teknike janë të larta. Krejt qka duhet të bëjë klubi është të sheh se në çfarë niveli fizik ishte dhe kjo ishte e tëra”. Kanë kaluar më pak se tre muaj prej kur Januzaj realizoi golin e tij të parë për ekipin e parë në fitoren e Unitedit me rezultat 5-2 ndaj Kitchee në Hong Kong.

Tani, tri javë pas paraqitjes së parë në Premierligë, si zëvendësim kundër Crystal Palace më 14 shtator, talenti i tij është një prej temave më të përfolura.

“Hera e parë që e kam parë në një ndeshje të rinjve ishte i jashtëzakonshëm. Menjëherë e kam kuptuar se ai është një prej atyre futbollistëve të së ardhmes. Të gjithë në klub, përfshirë menaxherin e ri dhe futbollistët e dinë se ai është një për të ardhmen. Ai do të bëhet vlerë e madhe në klub. Nuk u befasova me debutimin e tij, e prisja dhe mendoj se edhe Moyes mendoi njësoj. Nëse Moyes e ka shikuar në stërvitur së bashku me futbollistë të tjerë si Wayne Rooney dhe Robin van Persie, ai e di se çka të pres prej tij. David nuk do ta aktivizojë në çdo ndeshje për shkak se ritmi i Premierligës është i frikshëm. Moyes do ta zhvillojë dhe do të përkujdeset për të. Ai do ta inkuadroj dhe nxjerr, duke e lënë në pankinë, e të tjera”, u shpreh Harrison.

Kurse në Belgjikë, ku ekipi Kombëtar është i bekuar me talentë si Vincent Kompany, Christian Benteke dhe Eden Hazard, ekziston një dozë krenarie dhe pakënaqësie me statusin e ri të Januzajt.

“Ai zgjodhi projektin më të vështirë. Nëse do të qëndronte këtu në Anderlecht sot do të ishte në ekipin e parë dhe mund të ishte një trampolinë për në Evropë. Ne jemi krenar, pa dyshim, por edhe pak sa të dëshpëruar për largimin e tij të hershëm”, deklaroi Kinderman.