Përkujdesje e veçantë

Isa Mustafa vizitoi sot shoqatat e personave me nevoja të veçanta. Atyre u premtoi rritje të përkujdesit dhe qasje më të lehtë në arsim, shëndetësi dhe institucione publike.

Lajme

07/10/2013 14:07

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kryetar të Prishtinës, Isa Mustafa, premton rritjen e përkujdesjen ndaj personave me nevoja të veçanta.

Gjatë vizitës në “Klubi Dëshirat”, Shoqatën e Personave të Verbër dhe organizatën “Down Sindrome Kosova”, Mustafa premtoi se në rast të rifitimit të një mandati të ri 4 vjeçar, se do të punojë më shumë në përmirësimin e qasjes së këtyre personave në arsim, shëndetësi dhe institucione publike.

“Nuk kam dal sot që të bëjë fushatë me këto shoqata, e as që të kërkojë vota, por që t’i njoh kërkesat e tyre, në mënyrë që ato të merren parasysh në mandatin e ardhshëm katërvjeçar”.

Ai ka shtuar se komuna gjatë ndërtimit të objekteve publike ka krijuar pjerrina për njerëzit me nevoja të veçanta. Këtë e ka kërkuar edhe nga investitorët privatë, madje duke e kushtëzuar lejen për ta me ndërtimin e këtyre pjerrinave.

“Në të ardhmen do të jetë një kujdes më i shtuar shëndetësor për personat me nevoja të veçanta. Në të shkuarën janë financuar nga komuna projekte në fushën e arsimit dhe të kulturës për nevojat e njerëzve me nevoja të veçanta dhe këto projekte do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”.