Grabovci: Askush nuk i frikësohet raportit të Marty-t
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci mendon se ish-ushtarët e UÇK-së, por as institucionet e Kosovës nuk duhet të frikësohen nga themelimi i Gjykatës Speciale për krimet që supozohet se janë kryer në Kosovë.
Lajme
Ai në një prononcim për RTK-në ka thënë se akoma nuk ka informacione të plota lidhur me specifikat e kësaj gjykate, por ka shtuar se pasi kjo gjykatë po themelohet për shkak të raportit të Dick Marty-t, “atëherë askush nuk duhet frikësohet” që të ballafaqohet me drejtësinë.
“Këtu precizohet raporti i Dick Marty-t dhe absolutisht unë mendoj që këtë raport ta argumentojmë sepse kemi argumente të cilat janë në anën tonë dhe nuk besoj se dikush i frikësohet ballafaqimit me këtë raport”.
Adem Graboci i ka quajtur absurde publikimet e fundit në media, ku flitet për qindra të dyshuar nga radhët e UÇK-së për zhdukjen e 300 serbëve. Ai thotë se për shkak të këtyre spekulimeve duhet që ky proces të përfundojë sa më parë.
“Kjo vetvetiu e bën të pabesueshëm këtë raport. Prandaj, duke pasur parasysh këto, ne duhet të insistojmë që sa më parë të kemi një vendim dhe një mbyllje të këtij procesi, që nënkupton edhe ndërprerjen e thashethemeve, spekulimeve, manipulimeve dhe ndjenjave të qytetarëve të Kosovës”, tha Grabovci për RTK.