Kompanitë e sigurimit mashtrojnë qytetarët

Kompanitë e sigurimit po i detyrojnë qytetarët të paguajnë polica sigurimi për automjete edhe nëse automjetet kanë sigurim valid. Në rastin e bartjes së pronësisë nuk po u njihet kontrata e mëhershme e sigurimit. Kjo sipas MPB-së nuk kërkohet me ligj.

Lajme

14/04/2014 11:19

Kompanitë e sigurimeve nuk e kanë shumë dert se çfarë thonë ligjet kur bëhet fjalë për biznesin. Megjithëse nuk ka ndonjë bazë ligjore, një qytetar i Prishtinës tregon se i është dashur të paguajë 63 euro për bartjen e pronësisë së automjetit nga pronari i mëhershëm. Siç tregon ai, edhe pse vetura e tij ka pasur regjistrim deri në muajin nëntor të këtij viti, kompania e sigurimeve “Dardania” e ka detyruar të paguajë këtë shumë në emër të sigurimit.

“Agjentët e kësaj kompanie më kanë thënë se kështu thuhet në ligj. Ata më kanë thënë se këto para do të kthehen pas dhjetë dite në llogarinë bankare”, thotë ai.

E në Ministrinë e Punëve të Brendshme thonë se sipas legjislacionit për procedurat e regjistrimit të automjeteve, automjeti që ka sigurim nuk kërkohet që të paguajë sigurim.

“Në raste të ndërrimit të pronarit vetëm kërkohet të ndërrohet polica e sigurimit me të dhënat e pronarit të ri (jo të bëjë pagesë tjetër të sigurimit)”, thonë në zyrën për informim të MPB-së.

Në këtë institucion tregojnë se nuk duhet asnjë sigurim shtesë për ndërrim pronari. “Është valid sigurimi nga pronari i mëparshëm deri në afatin e skadimit të përcaktuar në policën e sigurimit”, shkruan gazeta Tribuna.