Pritjet e tyre zgjedhore

Partitë politike pohojnë të kenë bërë gati alternativat e tyre qeverisëse, për secilën komunë. Ato thonë se kanë hartuar plane konkrete, në varësi të specifikave të komunës përkatëse. Partia e Fortë ironizon, premton Bashkimin Kombëtar me Fushë Kosovën.

Lajme

03/10/2013 06:22

Fushata zgjedhore po fillon dhe forcat kryesore politike kanë vënë në funksion energjitë për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Zgjedhjet do të jenë një matës për secilën parti politike, sa peshojnë ato sot. E rrjedhimisht, do të mund të shihen edhe si indikator për të parë se kush mund ta formojë Qeverinë e ardhshme, pas zgjedhjeve nacionale, të parapara të mbahen vitin që vjen.

Lajm.net ka marrë nga partitë politike dy-tri premtimet e tyre  kryesore, me të cilat ato hyjnë në këto zgjedhje. Gjithashtu, ka marrë një opinion paraprak të tyre, për rezultatin që presin më 3 nëntor.

Partia Demokratike e Kosovës thotë se hyn në këto zgjedhje për të rritur fuqinë e saj. Në varësi nga komuna në të cilën kandidon, kjo parti thotë se ka përgatitur edhe programet parazgjedhore.

Memli Krasniqi flet me besim.

“Ne po flasim për fushatë lokale, ku secila komunë i ka specifikat e veta dhe secili kandidat për kryetar do ta prezantojë gjatë fushatës vizionin e tij dhe programin qeverisës për mandatin e ardhshëm. Normalisht, për shkak të këtyre specifikave, secila komunë do ta ketë një program të veçantë me prioritete të veçanta”.

“Ne mendojmë të mbajmë qeverisjen në të gjitha komunat në të cilat udhëheq momentalisht PDK. Besoj se do të fitojmë edhe në disa komuna tjera”.

“Ne do ta fitojmë numrin më të madh të komunave dhe do të konfirmohemi si partia më e madhe në vend, me mbështetjen më të madhe të qytetarëve dhe me shtim të numrit të përgjithshëm të votave. Besoj që edhe në total numrin e komunave do ta kemi të shtuar, pa hyrë në detaje se cilat”.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka zgjedhur që të hapë fushatën e saj, në minutat e parë të fillimit zyrtar të fushatës.

Kjo parti hyn me ambicie të mëdha në këto zgjedhje, e bindur se do të rrisë numrin e komunave pas 3 nëntorit.

Arben Gashi thotë se LDK në ditët në vazhdim do ta shpalosë programin e saj për secilën komunë.

“Në mesnatë, në orën 00:00 hapet fushata elektorale dhe fillojmë me shpalosjen e premtimeve tona dhe të programit tonë.”

“Normalisht, kemi pretendime dhe matje reale”.

Lëvizja Vetëvendosje hyn në këto zgjedhje, e bindur se në shumë komuna do të rangohet ose e para, ose e dyta.

Kur flet për pritjet, Dardan Molliqaj nga Vetëvendosje, asnjëherë nuk e përmend mundësinë e vendit të tretë.

“Sigurisht mund të them që premtimet janë të ndryshme për shkak se garojmë në komuna të ndryshme. Ne si subjekt politik i kemi prezantuar në shumicën e komunave alternativat tona qeverisëse”.

“Disa prej çështjeve që janë përsëritur më së shumti në këtë alternativën tonë në secilën komunë është çështja e bujqësisë, çështja e shëndetësisë, arsimit ndërtimet pa leje në përgjithësi dhe urbanizimi dhe antikorrupsioni dhe administratë efikase”.

“Në shumë komuna, në një pjesë të madhe të Kosovës, renditemi herë subjekti i parë, e herë si subjekti i dytë politik. Konsideroj se kemi një garë të fuqishme”.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pret që ta dyfishojë qeverisjen e saj në nivelin lokal.

Deputeti i kësaj partie, Burim Ramadani, pret rritje në zgjedhjet e 3 nëntorit.

“Definitivisht jemi të fokusuar në zhvillimin e hovshëm ekonomik të vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës, në nivel lokal, përmes ofrimit të zonave ekonomike dhe mundësive tjera dhe lehtësimet tjera, fusha tjetër është bujqësia, qeverisja efektive ose administrata efektive dhe kështu me radhë”.

“Ne definitivisht jemi partia që do të kemi rritjen më të madhe në numër të komunave dhe në numër të përgjithshëm të votave. Jemi me gjashtë komuna tani dhe presim që t`i dyfishojmë edhe numrin e komunave edhe numrin e votave të përgjithshme”.

Kryetari i Partisë së Fortë, Visar Arifaj, ka ironizuar me premtimet e mëdha të partive politike, që është fokusi kryesor i kësaj partie.

“Ne vetëm i kemi treguar deri më sot plotë prej projekteve tona madhore për Prishtinën, si puna e autostradës Arbëri – Bregu i Diellit, apo Bashkimi Kombëtar me Fushë-Kosovën, sikundër ndërtimi i rezidencës për Kryetarin e partisë dhe ndërtimin e parkingjeve në parkun e Gërmisë,  e kështu me radhë…”

“Mënyrat e funksionimit të Partisë së Fortë janë jashtë konvencionale, kështu që risi do të ketë gjithmonë nga Partia e Fortë”.