Stimuls bizneseve, për 150 vende pune, 7 vjet pa taksa

Ministri i Financave, Besim Beqaj paralajmëroi se Qeveria e Republikës së Kosovës shpejt do të aprovojë një dokument të lehtësirave për investime në Kosovë, në mënyrë që të rritë konkurrueshmërinë për tërheqjen e investimeve.

Lajme

10/04/2014 16:33

Në një takim të përbashkët me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, kryetarin e OEK-ut, Safet Gerxhaliu, kryetarin e AKB-së, Agim Shahini, si dhe drejtorin ekzekutiv të OEAK, Arian Zeka, është vendosur që të aprovohen lehtësirat për investime në vend, raporton KosovaPress.

“Jemi dakorduar sot edhe me biznesin që të kemi së paku 4 kategori të lehtësirave. Kategoria e parë është ajo e cila do të shkon për investime të reja mbi 10 milionë euro dhe krijim mbi 150 vende pune, e cila do të ketë pushim nga taksat për 7 vjet. Për investimet që do të shkojnë deri në 10 milionë euro dhe krijojnë së paku 100 vende pune, do të aplikohet pushimi nga taksat së paku për 5 vjet”, janë këto lehtësira që janë vendosur sot gjatë takimit.

Ndërsa për investime të reja prej 2 deri në 5 milionë euro dhe së paku 50 vende të reja të krijuara për punësim, lirimi nga taksat, sipas Ministrisë së Financave do të jetë për 4 vjet, ndërsa për investime deri në 2 milionë euro, që ka të bëjë me investimet e vogla, që ka të bëjë me biznese të të rinjve, që ka të bëjë me biznese të grave dhe biznese të tjera që janë të natyrës dhe investimit më të vogël, por që hapin së paku 30 vende pune, lirimi nga pagesa e taksave do të jetë për 3 vjet.