Hasani shpërfill Kuvendin, shkel Kushtetutën
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e ka shpërfillur Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar drejtpërdrejt nga Brukseli vazhdimin e mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë.
Lajme
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i ka dhënë vetes të drejtë t’i kërkojë presidentit të Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso dhe zyrtares së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, vazhdimin e mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë, të cilëve u skadon kontrata në fund të gushtit të sivjetmë, shkruan gazeta Tribuna.
Një vendim i tillë bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, pasi që ky dokument ka afro dy vjet që është pastruar nga neni 152, i cili e përcakton përbërjen e përkohshme të Gjykatës Kushtetuese.
Kur është përmbyllur faza e mbikëqyrjes së pavarësisë, është vendosur që tre gjyqtarëve ndërkombëtar në Kushtetuese të mos u ndërpritej mandati para kohe, por të riemërohen në të njëjtat pozita deri në fund të gushtit të vitit 2014.