Cliff: Mungesa e perspektivës po radikalizon të rinjtë

Ambasadori Ian Cliff, ka shprehur shqetësimin e tij për shkuarjen e të rinjve kosovarë në konflikte të ndryshme. Ai ka thënë se mungesa e perspektivës ndoshta po i shtynë të rinjtë të marrin hapa radikal.

Lajme

02/04/2014 16:12

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff ju ka bashkuar shqetësimeve të ngritura lidhur me rastet e shkuarjes së të rinjve nga Kosova në vendet tjera për të luftuar, veçanërisht në Siri, dhe së fundmi edhe në Irak.

Duke komentuar rastin e fundit të riut ferizajas i vrarë në Irak, ambasadori Cliff, ka thënë se nuk duhet ta ekzagjerojmë këtë çështje, duke thënë se mungesa e perspektivës ndoshta po i shtynë të rinjtë të marrin hapa radikal.

“Ka mjaftë të rinj që ndoshta këtu nuk po e shohin perspektiven e vet dhe për shkak të papunësisë dhe aspekteve tjera po nxitën që të marrin veprime të tilla”, ka thënë Cliff, raporton KosovaPress.

Ai këto komente i bëri gjatë vizitës së tij në Komunën e Ferizajt, ku u takua me kryetarin e kësaj komune Muharrem Sfarqa dhe vizitoi Kishën Ortodokse.

Cliff, i cili për në Ferizaj, kishte udhëtuar me tren, i pyetur nga gazetarët se kur do të fillohet të lëvizet lirshëm me tren edhe jashtë kufijve të Kosovës drejtë Evropës, ambasadori britanik ka thënë se edhe hekurudhat paraqesin një problem, që sigurisht do të zgjidhet përmes procesit të dialogut me Serbinë, në një fazë të ardhshme.

Në anën tjetër , kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa, e ka vlerësuar këtë vizitë duke thënë se gjatë takimit janë biseduar tema të rëndësishme që lidhen me marrëdhëniet në mes të Ferizajt, si pjesë e rëndësishme e Kosovës dhe Britanisë së Madhe.

Këtu, ai është ndalur tek nisma e bashkëpunimit me një komunë të Mançesterit, i cili sipas tij, do të shtrihet në shumë fusha.

Sfarqa, i ka dhuruar ambasadorit Cliff,  edhe një portret të punuar në dru të Nënë Terezës, në shenjë të miqësisë së Ferizajt me Mbretërinë e Britanisë së Madhe.