Policia për krime ekonomike në Ministrinë e Shëndetësisë

Sekretari i MSH, Gani Shabani është intervistuar javën e kaluar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për krime ekonomike. Largimi i disa barnave nga lista esenciale dhe zëvendësimi i tyre me produkte më të shtrenjta duket të jetë arsyeja e hetimeve në MSH.

Lajme

02/04/2014 10:29

Largimi nga lista esenciale i produkteve “Ondansteron” dhe Granisetron”, të cilat kushtojnë 1.32 euro dhe zëvendësimi i tyre me një produkt të quajtur Palonosteron i cili kushton 77.79 euro ka bërë që policia të intervistojë sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani.

E përditshmja “Zëri” sot shkruan se Shabani dyshohet për krime ekonomike. Por Gani Shabani ka thënë për “Zëri” se policia ka qenë në zyrën e tij për të parë dokumente si zakonisht.

“Ata (policia) kanë qenë këtu disa herë në zyrën e sekretarit, në Ministrinë e Shëndetësisë. Ata çka kërkojnë janë dokumente, duhet t’i kërkojnë përmes sekretarit”.

Shabani pohon se është pyetur konkretisht për produktet e blera.

“Po, kanë pyet, pse nuk u nënshkruan, pse u nënshkruan… Kush, qysh..? Dokumentet që i kërkojnë ata si zakonisht. Por, kjo absolutisht nuk ka të bëjë direkt me mua”, ka thënë Gani Shabani për “Zëri”.

Ndërkaq, Brahim Sadrija nga Policia e Kosovës ka thënë se nuk mund të japin detaje për rastin, pasi që ky rast është në fazën e hetimeve.

“Ne as nuk mund të pohojmë as mohojmë atë që thoni”, ka thënë ai për Zëri.