Mbishkrimi “Republika e Serbisë” në dokumentet e komunave veriore

Një shkresë që ka arritur në KQZ nga Komuna e Zubin Potokut kishte mbishkrim “Republika e Serbisë”. Për Adnan Rrustemin ky veprim është provokim, por njëherësh edhe \"produkt\" i marrëveshjes Thaçi-Dacic.

Lajme

02/04/2014 08:02

Komuna e Zubin Potokut i është drejtuar me një shkresë zyrtare KQZ-së, për ndërrimin e dy anëtarëve të Kuvendit Komunal të kësaj komune.

Por se kjo shkresë ka qenë me simbole dhe me mbishkrimin “Republika e Serbisë”, raporton sot Koha Ditore.

Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi thotë se një veprim i tillë jo vetëm që cenon integritetin e Kosovës por se është një provokim i hapur për Kosovën.

“Ditë më parë në KQZ, përmes një shkrese me simbole të Serbisë me mbishkrimin “Republika e Serbisë” është kërkuar zëvendësimi i dy anëtarëve të Kuvendit të kësaj komune”.

“Për më tepër edhe duke sjellë dokumente personale të Serbisë për të identifikuar persona në fjalë. Si veprim provokues dhe haptazi cenues ndaj integritetit të Republikës së Kosovës është produkt i marrëveshjes Thaçi-Dacic”.

“Kjo është Republika e Edita Tahirit dhe e dialogut politik Thaçi-Dacic, ku komunat e veriut edhe formalisht funksionojnë si institucione të Republikës së Serbisë”, ka thënë Rrustemi për Koha Ditore.

Ndërkaq, zëdhënësja e MAPL, Lumnije Demi thotë se çdo dokument apo që del nga ndonjë komunë dhe që bie ndesh me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale apo me Ligjin për Simbole Shtetërore, nga MAPL konsiderohet jo valid.

“Ministria e Administrit të Pushtetit Lokal në të gjitha rastet kur vlerëson se një dokument apo akt i komunës përmbanë simbolet në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje lokale apo Ligjin për Simbolet Shtetërore të njëjtat i konsideron jo valide”, ka thënë Demi për Koha Ditore.