Gjigantët evropianë barazojnë në ‘Teatrin e Ëndrrave’

Gjigantët evropiane, Manchester United dhe Bayern Munich barazuan 1:1 në Old Trafford, në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Gjysmëfinalisti do të dihet pas lojës së kthimit, pas një jave në ndeshjen që do të luhet në Allianz Arena.

Sport

01/04/2014 21:37

Gjigantët e futbollit evropian, Manchester United dhe Bayern Munich kanë barazuar në Old Trafford, 1:1, në një ndeshje mjaft interesante, të zhvilluar të martën mbrëma.

Pas një pjese të parë pa gola, ajo e dytë ishte edhe më ritmike dhe si rezultat i solli edhe dy gola.

Në fakt, gjiganti britanik kaloi në avantazh në minutën e 58-të falë golit të shënuar me kokë nga Nemanja Vidic.

Por, kampioni evropian nuk vonoi shumë dhe i barazoi shifrat përmes Bastian Schweinsteiger, pas një aksioni fantastik (67’).

Ky rezultat sigurisht se është më i favorshëm për gjigantin bavarez, i cili pas një jave e pret Unitedin në Allianz Arena.

Në fund të takimit, shënuesi Schweinsteiger u ndëshkua me karton të kuq.

Futbollistët kosovarë, Xherdan Shaqiri dhe Adnan Januzaj, nuk e patën rastin ta shijonin këtë ndeshje, duke qëndruar tërë kohën në bankinë.