Sfarqa: Mos shkoni në Siri
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, u ka bërë thirrje të rinjve nga ky qytet që të mos shkojnë për të luftuar në Siri. Ai ka reaguar pas informacioneve për vrasjen e dy të rinjve ferizajas në Siri.
Lajme
Kryetari i Komunës së Ferizajt Muharrem Sfarqa, u ka bërë thirrje të rinjve nga ky qytet që të mos shkojnë për të luftuar në Siri.
Ai ka thënë se rinia ferizajase duhet të jetë e përkushtuar për ndërtimin e mirëqenies, të kapaciteteve demokratike dhe rrjedhave shoqërore, që sigurojnë paqe, qetësi, mundësi për punë dhe për ndërtimin e vendit tonë.
“Vendi ynë i dalë nga lufta, në një gjendje jo shumë të mirë ekonomike e shoqërore, ka shumë nevojë për ndihmën, nismat dhe aktivitetet e të rinjve, për të ndërmarrë veprime që do të ndihmonin mobilizimin e popullatës për të mbështetur njerëzit në nevojë, që do të ngisnin dhe përgatisnin për zgjidhje çështje që kanë të bëjnë me ngritjen ekonomike, arsimore, shëndetësore, kulturore e sportive në vendin tonë”, ka thënë Sfarqa, raporton KosovaPress.
Për më tepër, kryetari i Komunës së Ferizajt u ka bërë thirrje ferizajasve që të mos mbështesin shkuarjen e të rinjve për të luftuar në këto vende, ndërsa atyre që tashmë kanë shkuar, u bën thirrje që të kthehen sa më parë.