Ulëset e rezervuara sjellin imazh të mirë për Kosovën
Ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, thotë se ulëset e rezervuara do të sillnin zhvillim pozitiv, kurse jo-transparenca dhe mos-plotësimi i standardeve ndërkombëtare për Tribunalin do sillnin imazh negativ për vendin, e jo lokacioni i tij.
Lajme
Jacobson ka folur për shumë tema, gjatë një interviste për Gazetën Express. Ndër to është reforma zgjedhore, Tribunali, dialogu, krahasimi me Krimenë, ekstremizmi fetar, e shumë tema tjera.
Jacobson ka cilësuar reformën zgjedhore si “reformë teknike” por jo rrënjësore.
“Nuk është reforma rrënjësore për të cilën SHBA-të dhe BE kanë bërë thirrje në të kaluarën, kështu që pres që ajo do të bëhet, por pres që të bëhet pas zgjedhjeve.”
“Komisioni i Venedikut që ishte për vizitë këtu së voni, shpjegoi se nuk mund të bësh reformë të mirëfilltë elektorale kur janë afër zgjedhjet, pasi vetë reforma politizohet.”
Sa i përket lokacionit të mundshëm të Tribunalit dhe ndikimit që ky mund të kishte në imazhin e vendit, Jacobson ka thënë se janë çështje tjera që do të ndikonin në imazhin e keq të Kosovës.
“Ajo që do të ishte shkatërruese për imazhin e Kosovës jashtë është që të kemi një procedurë gjyqësore që nuk është transparente dhe që nuk i plotëson standardet ndërkombëtare, që nga aspekti ndërkombëtar nuk është kredibile.”
“Unë mendoj se kjo do të ishte më së shumti shkatërruese për imazhin e Kosovën e jo se ku do të vendoset Gjykata.”
Më tutje, ambasadorja thekson se vazhdimi i ulësëve të rezervuara edhe për një mandat do i sillte Kosovës imazh të mirë tek ndërkombëtarët, por thotë poashtu se është e vetëdijshme se duhet 2/3 e kuvendit për zgjatjen e mandatit për minoritetet.
“Mendoj se vazhdimi i ulëseve të rezervuara edhe për një mandat do të ishte zhvillim pozitiv për Kosovën.”
“Do të dërgonte një sinjal të fuqishëm pozitiv për Kosovën në këtë periudhë të integrimeve veçmas në kohën kur njerëzit në veri kanë marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës për herë të parë.”
“Sido që të jetë, unë nuk kam votë në Kuvend, kjo është diçka që individët në Parlament duhet të vendosin.”
“Unë personalisht mendoj se është ide e mirë, por e kuptoj se ka të tjerë në Parlament,veçmas LDK dhe Vetëvendosje, që janë kundër kësaj ideje. Për vazhdimin e vendeve të rezervuara duhen 2/3 e votave , kështu që kjo është një pengesë mjaft e madhe, është diçka për të cilën Parlamenti duhet të vendosë.”
Në fund, Ambasadorja Jacobson ka folur edhe për temën e ekstremizmit fetar në Kosovë, pasi është pyetur “A është Kosova në hartën e vendeve të rrezikshme që eksportojnë ekstremizëm islamik?“
“Ajo që po shohim në Kosovë tani është një numër i vogël i njerëzve që po shkojnë në Siri dhe që po marrin pjesë në aktivitete ekstremiste.”
“Natyrisht, duhet të brengosemi edhe për një numër të vogël, por përgjithësisht shumica e kosovarëve janë krenarë për historinë e Kosovës si shtet tolerant, si shtet që ka një formë të Islamit që respekton religjionet tjera, që historikisht është i hapur ndaj diversitetit.”
“Kjo mendoj se është edhe e ardhmja e Kosovës dhe se kosovarët pajtohen se ky është mjedisi që duan të kenë në vendin e tyre, e jo ai i ekstremizmit fetar.”