Një konsorcium tërhiqet nga Projekti për Brezovicën
Konsorciumi i kompanive “ATC Investment” dhe “Desgin Workshoop” më nuk është e interesuar për të investuar në projektin e Brezovicës.
Lajme
Ky konsorcium austriako-amerikan e ka njoftuar Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë se nuk do të jetë pjesë e garës për këtë tender, shkruan Koha Ditore.
Ky konsorcium nuk ka marrë pjesë as në konferencën paraofertuese për Projektin e Brezovicës, me investitorët e huaj të parakualifikuar, e cila është mbajtur me datën 24 dhe 25 mars, në Prishtinë.
“Ku konsorcium e ka njoftuar Ministrinë se më nuk ka interesim të jenë pjesë e garës për Projektin e Brezovicës. Kjo tërheqje nuk ia pamundëson atyre që të rikthehen në garë për këtë projekt, sepse ende ka kohë deri në dorëzimin e master-planit dhe pastaj ofertave nga operatorët e parakualifikuar”, i ka thënë gazetës një burim brenda Qeverisë së Kosovës.
Gazeta ka mësuar se njoftimi për tërheqje nga konkurrenca për Brezovicën u është dërguar zyrtarëve të prokurimit të kësaj ministrie nga ana e konsorciumit. Njoftimi ishte bërë para se të mbahej konferenca paraofertuese me investitorët për këtë projekt.
E përfaqësuesit e këtij konsorciumi nuk kishin marrë fare pjesë në konferencën paraofertuese dhe as në vizitën në Brezovicë, e cila ishte organizuar nga Qeveria e Kosovës.
Në garë kanë mbetur vetëm tri konsorciume. Në mesin e tyre është konsorciumi bullgaro-austriak i përbërë nga kompanitë “Rila Ski Resort” , “Eco Sign Evropa” dhe “Ballkan GCE”.