Kontrabanda në Veri në rënie

Zyrtarë doganorë të Kosovës thonë se kontrabanda në dy pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak ka rënë dukshëm. Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, pohon se të hyrat doganore në dy muajt e parë të vitit 2014, janë mbi 500 mijë euro.

Lajme

29/03/2014 09:22

Kontrabanda në Veri ka rënë dukshëm që nga marrja nën kontroll e pikëkalimeve kufitare 1 dhe 31 nga autoritetet kosovare në vitin 2011.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë se kontrabanda në pikëkalimet pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak ka rënë dukshëm, për dallim nga vitet e kaluara, raporton Kosovapress.

Sipas tij, të hyrat doganore vetëm në dy muajt e parë të vitit 2014, janë mbi 500 mijë euro.

“Këtë më së miri e tregon rritja e të hyrave doganore për rajonin e Mitrovicës në shumën prej 23 për qind më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.

“Prej marrjes së dy pikave në kontroll, kemi parë një zvogëlim të kontrabandës. Arsyeja pse ka ndodhur zvogëlimi, mund ta dëshmojmë me rritjen e të hyrave, me rënien e numrit të kundërvajtjeve dhe atëherë kur po tentohet të kontrabandohet me makina të vogla” .

Edhe zyrtarë policorë e kanë konfirmuar rënien e kontrabandës në Veri. Shefi i Operativës për Rajonin e Veriut, Zhelko Bojiq, thotë se që nga data 1 janar deri më sot, janë identifikuar 12 raste të tentimit të kontrbandimit të mallrave të ndryshme, të cilat janë proceduar në gjykatë.

“Në të gjitha rastet Policia e Kosovës ka iniciuar lëndë konform ligjeve të aplikueshme në vend dhe i kanë proceduar në gjykatë. Vazhdimisht rastet e tilla janë hetuar në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe nën autorizimin e prokurorëve përkatës”.

Ndërsa, Shukri Gashi, njohës i çështjeve ekonomike, vlerësoi se rritja e të hyrave në dy pikat kufitare 1 dhe 31 është një lajm i mirë.

Ai vlerësoi se pjesë e këtij rezultati, është edhe fakti që tani ka filluar të zbatohet marrëveshja e IBM’së.

“Gjithashtu, kemi vetëdijesim të qytetarëve dhe bizneseve që janë të gatshme të bashkëpunojnë me institucionet tona shtetërore për luftimin e kontrabandës, korrupsionit dhe dukurive tjera negative që shfaqen në pikat doganore të vendit”, ka thënë Gashi për Kosovapress.

Në korrik të vitit 2011 Qeveria e Republikës së Kosovës kishte dërguar forcat e Njësisë Speciale për të marrë kontrollin mbi pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat ishin jashtë kontrollit të autoriteteve kosovare që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.