Kritika pushtetit për nivelin e sigurisë në Pejë
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me sigurinë nëpër Komuna të Kosovës.
Lajme
Burim Ramadani, deputet i AAK-së, Gëzim Kelmendi nga Partia e Drejtësisë dhe Vjollca Krasniqi nga LDK, e kanë marrë shembull rastin e fundit në Pejë ku u vranë dy persona dhe gjashtë të tjerë u plagosën, ndërsa, sipas tyre vrasësi ende nuk është gjetur.
Ramadani, ka thënë se nuk po e sheh kryeministrin (Hashim Thaçi) që po shkon në vend të ngjarjes, që t’u premtoj këtyre qytetarëve të shqetësuar dhe të frikësuar, se do t’i parandalojnë këto raste.
Ramadani ka thënë se kryeministri mendjen e ka te pushtetit.
Ai ka thënë se qeveritarët nuk e kanë këtë shqetësim, pasi për vete sillen me roje dhe me vetura të shtrenjta që i paguan populli i Kosovës dhe nuk e kanë farë idenë se cili është nivel i ndjenjës së pasigurisë së qytetarëve për jetën dhe pronën e tyre.
“Vrasjet janë rritur, shqetësimet janë rritur, aksidentet janë rritur, në anën tjetër përgjegjësia e Qeverisë, madje kohëve të fundit dhe rasteve të fundit tashmë nuk po e shohin 60 zyrtarë të lartë për sigurinë e Kosovës paguhen nuk po marrin mundin as pak deklarativisht të dalin të solidarizohen me familjarët e të vrarëve nëpër komuna të ndryshme anë e kënd Kosovës. Në anën tjetër, situata në nivelin komunal është e rëndë dhe e dhimbshme, ai zotëriu që krejt situatën parazgjedhore kishte kthyer pikërisht me temën në sigurinë në Pejë tashmë e kanë mbyllur gojën”, ka thënë Ramadani, raporton Kosovapress.
Edhe Gëzim Kelmendi, nga PD-ja, ka kërkuar nga Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi që të vihen njësitë speciale për atë regjion për shkak të situatës së rënd që po ballafaqohen qytetarët e Pejës.
Ai ka shtuar se Policia e Kosovës ka nevojë për mbështetje dhe sipas tij rritja e pagave duhet të përfshijë këtë sektor shumë më shumë se sektorët të tjerë. Ndërsa, ka shtuar se përkundër të gjitha vrasjeve që po ndodhin në Kosovë shkallës së lartë të krimit të organizuar është herët të mendohet për largimin e EULEX-it nga Kosova.
Edhe deputetja e LDK-së, Vjollca Krasniqi, ka thënë se vrasësit e këtyre personave (në Pejë) ende nuk janë zbuluar. Sipas saj, Policia e Kosovës e cila është e besueshme dhe e pranueshme për qytetarët e Kosovës duhet edhe të ruaj sigurinë e qytetarëve dhe të gjejë zgjedhjen e rasteve të tilla.
“Sipas qytetarëve gjithnjë në atë pjesë pas orës 8 dhe 9 në mbrëmje nuk dilet më në qytet. Policia e Kosovës si institucion me imazh pozitiv i besueshëm për qytetarët e vendit, i pranueshëm, këtë imazh nuk mund ta ruaj vetëm me spote dhe reklama, por duhet ta ruaj me zgjedhjen e rasteve të tilla”, ka thënë Krasniqi.