Qeveria të deklarohet për tribunalin
Rexhep Selimi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të deklarohet rreth zërave për krijimin e një tribunali për hetimin e krimeve të pretenduara të UÇK-së. Ai ka thënë se Kosova ka nevojë për drejtësi që do të buronte nga brenda.
Lajme
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Rexhep Selimi, ka thënë se Kosova ka nevojë për drejtësi që buron nga brenda, e jo për një tribunal i cili do të merrej me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Në një intervistë për “Epoka e re”, Selimi është shprehur kundër idesë për themelimin e tribunalit për hetimin e krimeve të pretenduara të UÇK-së.
“Nuk mendoj se një tribunal i cili paragjykon UÇK-në si të fajshme ose si të përfshirë në krime është drejtësi. Kjo nuk është drejtësi. Kosova ka nevojë për drejtësi që do të buronte nga brenda. Si duket, kjo nuk është drejtësi por ndërhyrje në vlerat më sublime, siç është lufta e UÇK-së”.
Selimi ka kritikuar ashpër institucionet e Kosovës, sidomos Qeverinë, e cila sipas tij, është duke u treguar inferiore ndaj këtij tribunali.
“Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë do të duhej t’i dilnin në ballë kësaj çështjeje e jo të fshihen tani. Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë, sidomos Qeveria, duket e strukur diku dhe është duke u treguar inferiore ndaj kësaj çështjeje”, ka thënë Selimi në “Epoka e re”.