Pallati i dallavereve!

Pallati i Rinisë në Prishtinë është para falimentimit për shkak të bllokimit të xhirollogarisë nga Gjykata Supreme e cila ka marrë vendim për dëmshpërblimin e disa bizneseve që u janë djegur depot 14 vjet më parë.

Lajme

26/03/2014 07:38

Qendra më e madhe tregtare në Kosovë, është në prag të falimentimit. Një vendim i dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme i bazuar krejtësisht në dëshmi të paverifikuara, pa asnjë dokument, por vetëm në deklarata gojore, ka barë që sot Pallati i Rinisë të detyrohet të paguajë kompensim milionësh paditësve, shkruan gazeta “Zëri”.

Bëhet fjalë për djegien që ka ndodhur para 14 viteve më parë, në qershor të vitit 2000, kur një pjesë e Pallatit të Rinisë e ka kapluar zjarri, me ç’rast disa biznese kanë deklaruar se mallrat e tyre të djegura në depo kanë pasur vlerë milionëshe.

Ata nuk kanë ofruar asnjë dëshmi për sasinë e saktë të mallrave të humbura, megjithatë Gjykata ka marrë vendimin që ato të kompensohen në vlerë prej 3.5 milionë euro, duke i bllokuar xhirollogarinë Pallatit të Rinisë dhe të gjitha paratë e qirave që paguhen të derdhën në xhirollogaritë private të paditësve.

Njëri prej paditësve, Bedri Statovci, i cili ka poseduar depo ushqimore në atë kohë, sipas deklaratës së tij në dokumentet e Gjykatës të cilat i posedon gazeta “Zëri”, shkruan se ai ka pësuar dëm në vlerë prej 2 milion e 500 mijë marka të asaj kohe. Ndërsa sot i njëjti person i kontaktuar nga “Zëri”, deklaron shifër tjetër.