Jahjaga: NATO parandaloi një katastrofë humanitare

Presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se sulmet e NATO-s parandaluan një katastrofë humanitare. Ajo thotë se sulmet ndaj caqeve serbe i dhanë fund një regjimi shtypës dhe mundësuan një jetë të re.

Lajme

24/03/2014 14:43

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se sulmi ajror i NATO-s mbi caqet serbe, ka qenë ndërhyrje humanitare.

Në përvjetorin e pesëmbëdhjetë të këtyre sulmeve, Jahjaga ka thënë se ndërhyrja e NATO-s ka parandaluar një spastrim etnik të popullit të Kosovës, andaj ajo ka falënderuar të gjithë ata që parandaluan një katastrofë humanitare.

“Sot shënojmë përvjetorin më të rëndësishëm në historinë e re të Kosovës – fillimin e një fushate shpresëdhënëse për popullin e Kosovës, që çoi në përfundimin e shtypjes dhe represionit”.

“Po shënojmë 15 vjetorin e sulmeve ajrore të NATO-s mbi objektivat serbe, një intervenim thellësisht humanitar, që shpëtoi qindra mijëra jetë të qytetarëve të Kosovës dhe që ofroi mundësi të re për një jetë të lirë, në një shoqëri demokratike e të zhvilluar”.

“Në këtë 15 vjetor, shprehim mirënjohjen tonë të thellë për SHBA-në dhe vendet anëtare të BE-së si dhe për Aleancën e NATO-s, që parandaluan spastrimin etnik të Kosovës dhe që përmes sulmeve ajrore në mbrojtje të popullit të Kosovës i dhanë fund një regjimi shtypës, për të mundësuar një jetë të re.”

“Në këtë pesëmbëdhjetë vjetor, falënderojmë të gjithë ato gra e burra të të gjitha atyre vendeve që u angazhuan në parandalimin e një katastrofe humanitare në Kosovë dhe që më pas, me përfundimin e fushatës ajrore 78 ditëshe, ndihmuan në rindërtimin e Kosovës dhe në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe të sigurisë, jo vetëm në vend, por edhe në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Presidentja Jahjaga thotë se 15 vjet pas ndërhyrjes së NATO’s, Kosovës i është kthyer shpresa dhe jeta.

“Pesëmbëdhjetë vjet më pas, Kosova është shtet i lirë dhe i pavarur, shtet i të gjithë qytetarëve të tij pa dallim, shtet që po ndërton ura miqësie me të gjithë dhe një shtet që po kontribuon në paqen dhe sigurinë e përgjithshme”.

“Në këtë 15 vjetor, kur shënohet rikthimi i shpresës për jetë, Republika e Kosovës tregon se është dëshmi e një suksesi të përbashkët të qytetarëve dhe institucioneve të saj dhe i bashkësisë ndërkombëtare, para së gjithash SHBA-së. Është dëshmi e një shoqërie të pjekur e demokratike, gjithëpërfshirëse dhe tolerante”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Presidenca.