VV: Arrestimi i aktivistëve është politik

Lëvizja Vetëvendosje reagon lidhur me arrestimin e aktivistit, Egzon Ahmeti, i cili kishte marrë pjesë në protestën për dorëheqjen e Kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja. Veprimet e tilla i quan politike, ndërsa kërkon lirimin e menjëhershëm të Ahmetit.

Lajme

22/03/2014 14:28

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Ahmeti, i cili ishte pjesë e protestës për shkarkimin e Kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, është arrestuar të premten nga Policia e Kosovës në shtëpinë e tij në Prishtinë.

Në një komunikatë për media thuhet se Azemi më pas është transferuar në stacionin policor në Prizren, të cilit i është shqiptuar masa e dënimit prej 48 orësh.

“Dje në orët e pasdites, Policia e Kosovës e arrestoi aktivistin Egzon Azemi, në shtëpi të tij, në Prishtinë, për shkak se tentoi dhe nuk e arrestoi dot në protestën për dorë heqjen e Ramadan Mujës në Prizren.

“Pas arrestimit, ai u transferua në stacionin policor në Prizren, ku i është caktuar masa e mbajtjes për 48 orë”.

“Ky lloj zelli i policisë për arrestimin e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje është politik. Së pari, atë ditë në Prizren asnjë protestues nuk do të duhej të arrestohej, sepse protesta ishte paqësore”.

“Së dyti, Egzon Azemi, edhe sikur të arrestohej ditën e protestës në Prizren, do të lirohej pas disa orëve, ashtu si u liruan edhe të arrestuarit tjerë në protestë. Mirëpo, qëllimi këtu është që të paraqitet se protesta atë ditë ishte e Lëvizjes Vetëvendosje”.

“Ne e njoftojmë edhe Policinë e Prizrenit, edhe Nexhmedin Krasniqin, edhe Ministrin e tyre të Punëve të Brendshme, edhe Kryeministrin e tyre, se çdo protestë popullore me qëllim të drejtë, është edhe e Lëvizjes Vetëvendosje”.

“Policia do të ishte mirë që të merrej me arrestimin e shumë kriminelëve që po shëtitën të lirë gjithandej nëpër Kosovë, e ta lë Lëvizjen Vetëvendosje të papenguar në aktivitetin e saj politik, për bërjen e shtetit dhe të kombit”.