Opozita kritikon Thaçin për mosraportim para Kuvendit

Partitë opozitare kanë kritikuar Kryeministrin Hashim Thaçi për mosraportim para Kuvendit, për bisedimet Kosovë-Serbi. Ndërsa Adem Grabovci thotë se shefi i tij ka raportuar dhe njoftuar deputetët në vazhdimësi.

Lajme

22/03/2014 13:55

Opozita ka kritikuar Kryeministrin Hashim Thaçi se nuk po raporton para Kuvendit pas çdo takimi të bisedimeve me Serbinë.

Ata thon ë se në pajtim me Rezolutën e Kuvendit , e nxjerr në prill të vitit 2013, Kryeministri Thaçi është i obliguar që të raportojë në Kuvend pas çdo takimi, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur që prej vitit të kaluar.

Deputeti i LDK’së, Eqrem Kryeziu thotë se ai do të donte që informatat për bisedimet do të donte që t’i merrte nga dora e parë, që në këtë rast është vet Kryeministri Thaçi.

“Thënë të drejtën kjo tash kuptohet dhe perceptohet si një obligim i Rezolutës së Kuvendit, por është çështje më shumë e interpretimit. Sinqerisht, unë për vete dhe personalisht do të dëshiroja të kem informacione prej dorës së parë – do të thotë prej aktorit kryesor, prej kryeministrit të Kosovës që merr pjesë në ato takime, por pse nuk ka ardhur deri tash – unë nuk di”, tha ai për Radio Kosovën.

Edhe deputetja e AAK’së, Donika Kadaj-Bujupi mendon se Kryeministri po i shmanget këtij obligimi dhe thotë se për dialogun nuk ka pasur asnjëherë gatishmëri që të ketë transparencë.

“Së fundmi, kemi parë edhe ikjen për temat që janë të lidhura me buxhetin, ku ka marr vendime ka anashkaluar komplet Kuvendin dhe janë të paligjshme, ndërkohë që për dialogun asnjëherë nuk ka pasur gatishmëri të tregojë transparencë, të diskutojë e debatojë dhe të jap llogari në Kuvend”.

Rexhep Selimi, nga “Vetëvendosje”, thotë se Qeveria nuk ka dhënë përgjegjësi Kuvendit por vetëm kur ka pasur nevojë për numra të deputetëve, ai e ka shfrytëzuar Kuvendin.

“Qeveria kurrë nuk i ka raportuar Kuvendit dhe kurrë nuk e ka luajtur rolin që i takon përballë Kuvendit si institucion që e ka zgjedhur Qeverinë. Madje, përveç që nuk i ka dhënë përgjegjësi Kuvendit në të gjitha rastet, kur ka pasur nevojë Qeveria e ka shfrytëzuar Kuvendin me numrat dhe deputetët që i ka, duke përfshirë deputetë nga PDK-ja dhe aleatët e saj”.

Por këtyre deklarimeve u përgjigjet shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci, i cili ka thënë për Radio Kosovën, se Kryeministri ka raportuar në vazhdimësi për dialogun.

“Kryeministri ka raportuar në vazhdimësi për dialogun Kosovë-Serbi, i ka informuar deputetët dhe të gjitha institucionet kur  është vlerësuar se duhet të kenë informacione të nevojshme, se atje është zhvilluar një proces shumë i vështirë, proces  të cilit nuk ka mundur askush tjetër  ta përmbyll,  përveç kryeministrit Hashim Thaçi, me mbështetjen e të gjithëve”, tha Adem Grabovci për Radio Kosovën.