Shpend Ahmeti “kthen antenën” kah Zagrebi

Komuna e Zagrebit dhe ajo e Prishtinës do të shkëmbejnë bashkëpunim në fusha të ndryshme në përpjekje për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Shpend Ahmeti u takua sot me homologun e tij nga Zagrebi, Milan Bandic.

Lajme

20/03/2014 17:47

Kryetari i Komunës së Zagrebit, Milan Bandic, është shprehur i  gatshëm që ta ndihmojë komunën e Prishtinës në fusha të ndryshme që kanë të bëjnë me shërbime ndaj qytetarit. Ndërkaq kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, ka thënë se kanë biseduar për disa fusha konkrete në të cilat do të mund të përfitojnë nga praktika zagrebase.

“Kemi folur për shtatë fusha të ndryshme të bashkëpunimit, shumica në pjesën e  shërbimeve publike dhe kemi identifikuar fushat ku mund të bashkëpunojmë” .

“Kemi folur për parkingun dhe organizimin që ka qyteti i Zagrebit, aty si duket do të fillojmë shumë shpejt me marrjen e praktikave dhe këtu Bandic , na ka ofruar gjithë ndihmën e mundshme që Zagrebi mund të na japë”.

“Kemi folur për transportin publik se si e kanë organizuar pastrimin dhe menaxhimin e mbeturinave, pra kemi folur për gjëra konkrete”.

 

“Rezultatet e para të këtij bashkëpunimi do t’i shohim në qershor, atëherë kur do të bëjmë implementimin e disa prej këtyre praktikave”, ka thënë Ahmeti.

Ndërkaq Kryetari i Zagrebit, Milan Bandic, i cili drejton kryeqytetin kroat tash e 14 vjet, ka konfirmuar mbështetjen për Prishtinën.

“Jemi këtu që t’i shkëmbejmë përvojat, atë çka kemi bërë mirë ne në Zagreb do ta shpërndajmë edhe në Prishtinë, por edhe jemi të gatshëm të mësojmë çka bën Prishtina mirë”.

“Prej vitin 2000, që jam në krye të Zagrebit, jam i gatshëm që gjithë këtë përvojë ta ndaj me kolegun tim. Atë çka kemi parë sot gjatë ditës na jep shumë shpresë se do të mund t’i bartim këto përvoja” .

“Do të vazhdojmë edhe me projekte kulturore vizitat e ndërsjella, si dhe ndonjë aktiviteti sportiv”, ka thënë Bandic.