Prishtina do të bëhet me stadium Kombëtar
Kryeministri Hashim Thaçi ka njoftuar se është marr vendim për ndërtimin e stadiumit Kombëtar sipas standardeve botërore. Me besimin se shumë shpejt, Kosova do të jetë e pranuar me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA, Thaçi ka kërkuar fillimin e hapave të parë të projektit për ndërtimin e një arene moderne në Prishtinë.…
Sport
Kryeministri Hashim Thaçi ka njoftuar se është marr vendim për ndërtimin e stadiumit Kombëtar sipas standardeve botërore.
Me besimin se shumë shpejt, Kosova do të jetë e pranuar me të drejta të plota në FIFA dhe UEFA, Thaçi ka kërkuar fillimin e hapave të parë të projektit për ndërtimin e një arene moderne në Prishtinë.
“Kosova shumë shpejt do të jetë anëtare e FIFA’së dhe UEFA’së dhe futbollistët tanë do të kenë mundësi të bëjnë gara të barabarta në arenën ndërkombëtare”, deklaroi Thaçi në mbledhjen e Qeverisë.
“Andaj për t’i paraprirë hapave të ardhshëm në këtë drejtim dhe për të treguar përkushtimin e plotë të institucioneve dhe të qytetarëve tanë për zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin e futbollit, ftoj Ministrin e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, dhe Ministrin e Financave, Besim Beqaj, që të nisin menjëherë procedurat që në kornizën afatmesme të shpenzimeve të përfshihet projekti për ndërtimin e një stadiumi të ri dhe modern në Kosovë, stadiumit kombëtar të Kosovës sipas standardeve më të larta ndërkombëtare”.
“Stadiumi kombëtar i Kosovës do t’i ketë rreth 25 mijë deri 30 mijë ulëse dhe do të ndërtohet në Prishtinë”.
“Ftoj ministrat që menjëherë t’i fillojnë procedurat për shpalljen e konkursit ndërkombëtar për ndërtimin e këtij stadiumi”.
“Ky stadium do të jetë po ashtu, sikur stadiumet më moderne në Evropë. Ky stadium do të jetë një arenë feste dhe gare e vërtet dhe një krenari për të gjithë futbollistët dhe tifozët tanë”.