Rikthimi emocionues i Drogbas
Didier Drogba e pranon se rikthimi në Stamford Bridge do të jetë emocionues, ndërsa skuadra e tij Galatasaray po përgatitet të përballet me Chelsean në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve. Drogba, i cili e realizoi penalltinë vendimtare për Chelsean në finale të këtij kompeticioni, dy vjet më herët, do të rikthet në…
Sport
Didier Drogba e pranon se rikthimi në Stamford Bridge do të jetë emocionues, ndërsa skuadra e tij Galatasaray po përgatitet të përballet me Chelsean në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve.
Drogba, i cili e realizoi penalltinë vendimtare për Chelsean në finale të këtij kompeticioni, dy vjet më herët, do të rikthet në Stamford Bridge për herë të parë që nga largimi i tij në vitin 2012, kur skuadra e tij do të ballafaqohet me ekipin e Jose Mourinhos nesër mbrëma.
Edhe pse i kaloi tetë vjet në Chelsea, sulmuesi insiston se do ta japë më të mirën nga vetja për ta ndihmuar klubin aktual që të avancojë në kompeticion, pas barazimit 1:1 në ndeshjen e parë.
“Është mjaft e vështirë të luash ndaj Chelseat, por do të bëhet edhe më e vështirë për mua, tash kur i takoj Galatasarayt. Nevojitet të jem profesionist. Natyrisht se do të jetë emocionuese, si në ndeshjen e parë, e cila ishte mjaft speciale”, deklaroi përfaqësuesi i Bregut të Fildishtë në konferencë për shtyp.
“Mirëpo, nuk kam se çka t’i demonstroj klubit aktual. Çdo gjë që kam demonstruar, e kam bërë me Chelsean. Kam ardhu këtu me një ekip tjetër dhe vetëm dua ta fitoj lojën dhe të kualifikohemi. Nuk kam asgjë personale kundër Chelseat. Nuk do të ketë kurrë”, shtoi ai.
“Me gjithë respektin që e kam për këtë klub, për fansat dhe lojtarët, ndoshta nuk do të festoj. Por, nëse do të fitojmë, do të jem i lumtur. Jam vërtetë i lumtur në Galatasaray”.
“Dhe, jam i fokusuar në këtë ndeshje, sepse është e rëndësishme dhe dua të jem më i miri në fushë”, përfundoi 36 vjeçari, i cili në të ardhmen synon të jetë trajner apo ta marrë ndonjë pozitë tjetër në futboll.