Pak a shumë është receta e vitit 2012

Leon Malazogu thotë se zgjedhjet serbe në Kosovë pritet të jenë të ngjashme me ato të vitit 2012. Mendon se është gjetur një mes për atë se çfarë ka kërkuar pala serbe dhe ajo kosovare. Konsideron se Njësia e Votimit praktikisht është Qendër e Votimit.

Lajme

15/03/2014 18:07

Zgjedhjet parlamentare serbe, që do të mbahen të dielen, në Kosovë pritet të jenë të ngjashme me ato të vitit 2012.

Kështu vlerëson Leon Malagozu nga Instituti D4D.

Ai thotë se është gjetur njëfarë mënyrë mes për mes nga të dyja palët.

Në një bisedë për lajmi.net, njohësi i çështjeve zgjedhore, Malazogu, pohon se është gjetur një kompromis që zgjedhjet të mbahen ashtu si kërkon Serbia dhe një model tjetër, që pala kosovare insiston që ato të duken më shumë si një lloj votimi në diasporë.

“Këtu kemi zgjidhje në njëfarë mënyre mes për mes. As nuk e kanë numrin e vendvotimeve ashtu si do të duhej të kishin ato zgjedhje të rregullta siç po e kërkon Serbia, por as nuk është në pak pika, siç do të duhej të ishte në të vërtetë vetëm grumbullim i votimit”.

“Është diçka një zgjedhje në mes të këtyre dyjave. Unë kam përshtypjen që pak a shumë është përcjell receta e vitit 2012”.

“Por, kam përshtypjen që kërkon një lëvizje të vogël në favor të Kosovës, ku janë disa tipare që nuk duken më si zgjedhje të Serbisë, i kanë disa tipare shtesë, të cilat duken si votim në diasporë,  edhe pse ndoshta ka mjaftë shumë lokacione ku ndodh votimi”.

Zëdhënësi i OSBE’së, Nicola Gaon, ka thënë për lajmi.net se nuk është i ngjashëm me atë të vitit 2012, pasi që kësaj radhe do të quhet Operacion i Grumbullimit të Votave.

Sipas tij, qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, nuk do të votojnë në Qendra të Votimit, por në Qendra të Grumbullimit dhe në Njësi.

Por, a është Njësia e Votimit njësoj me Qendrën e Votimit?

Malazogu ka këtë përgjigje.

“Praktikisht, ato janë qendra të votimit, për shkak se procesi i votimit do të bëhet nga OSBE’ja dhe jo nga zyrtarët serbë”.

“OSBE ia dorëzon materialin zyrtarëve serbë. Ajo quhet një qendër e grumbullimit, por sa i përket mënyrës së votuesve ai ka pothuajse disa tipare të një qendre të votimit”.

“Këto zgjedhje duhet të krahasohen ndoshta me zgjedhje tona”.

“Mendoj se pjesërisht ka të bëjë me emërtim tjetër, por pjesërisht ka të bëjë me një dallim thelbësor, edhe pse ndoshta jo të madh po ka të bëjë me një dallim shumë të vogël nga zgjedhjet normale”.

Mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë ka qenë arenë polemikash në mes të palës serbe dhe asaj kosovare.

Zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vucic, kishte deklaruar se zgjedhjet parlamentare serbe të 16 marsit do të mbahen edhe në Kosovë në bazë të marrëveshjes së Brukselit.

Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ritheksuar qëndrimin e tij se shteti serb nuk mund të organizojë zgjedhjet në territorin e Kosovës, por qytetarëve me dyshtetësi nuk do t’u mohohet e drejta e votës.