Thaçi: Serbia s’mund të organizojë zgjedhje në Kosovë

Kryeministri Thaçi thotë se Serbia nuk do t’i organizojë zgjedhjet në Kosovë, por qytetarëve me dyshtetësi nuk do t’u mohohet e drejta e votës.

Lajme

15/03/2014 15:25

Kryeministri Hashim Thaçi ka këmbëngulur në qëndrimin e tij se Serbia nuk mund të organizojë zgjedhje në Kosovë.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Serbisë do të zhvillohen nesër.

Por, ai ka deklaruar se e drejta e votës nuk mund t’u mohohet qytetarëve që kanë dyshtetësi, e të cilëve do t”u mundësohet votimi përmes pikave grumbulluese që do të organizojë OSBE.

“Me kushtetutë dhe ligjet e Kosovës, qytetarët e Kosovës e kanë të drejtën e dyshtetësisë dhe kjo e drejt duhet të respektohet për të gjithë pa dallim. Serbia nuk mund të organizoj zgjedhje në Kosovë.”

“Më lejoni gjithashtu që të ftoj qytetarët në Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit që të participojnë në jetën demokratike, të participojnë në proceset elektorale dhe t`i zgjedhin njerëzit e tyre për t`i përfaqësuar”.

Këto komente, Kryeministri i Kosovës i bëri në Shkabaj, ku i inspektoi punimet e ngrohtores së qytetit Termokos.