Haki Shatri: Kuvendi të vendos për rritjen e pagave

Haki Shatri mendon se rritja e pagave është një mashtrim. Ai thotë se rritja nuk do të jetë 25% por shumë më pak. Këshillon Qeverinë që të luftojë informalitetin sepse Kosova do të mund të përfitonte 400 milionë euro shtesë çdo vit.

Lajme

11/03/2014 22:21

Ish Ministri i Financave Haki Shatri mendon se rritja e pagave për sektorin publik është një mashtrim. Ai kritikon mënyrën e rritjes së këtyre pagave por thotë se nuk është kundër rritjes së tyre.

Ai në emisionin InfoMagazinë të Klan Kosovës ka thënë se rritja e pagave nuk do të jetë 25% ashtu siç është proklamuar, pasi që kjo rritje do të bëhet mbi bazë të pagës së vitit 2007.

“Në fakt askush në Kosovë nuk është kundër rritjes së pagave por jemi kundër mënyrës për të manipuluar, përfitimi në momente të caktuara nga rritja e pagave nga fondet publike për interesa partiake”.

“Në këtë situatë siç është gjendja sociale e popullsisë, çfarëdo lloj rritje që do të ofrohet praktikisht qytetarët e Kosovës janë ardhur në një pozitë sikurse lypësi, sa t’i japësh është i kënaqur dhe falënderohet”.

“Është një lloj mashtrimi se kjo rritje 25 % do të ejtë e mbështetur në pagën bazë të vitit 2007. Nuk është rritje 25% në masën e parasë me pagat që është marr aktualisht sot, por rritje në bazë të ligjit 2007, që i bie jo 25% por shumë më pak”.

Haki Shatri mendon se rritja e pagave është deshtë që të ndodh çdo vit duke përcjellur edhe inflacionin. Ai këshillon Qeverinë që të luftojë informalitetin sepse sipas tij Kosova do të mund të përfitonte rreth 400 milionë euro në vit.

“Qeveria duhet të orientohet me luftimin e informalitetit e cila sillet 30-33% ashtu vlerësohet, me të cilat do të kishim mundur të sigurojmë të hyra deri më 400 milionë euro shtesë, pa e rritur normën e tatimeve. Kishim siguruar të ardhura shtesë me të cilat kishim mundur edhe t’i rrisim pagat”.

“Rritja e pagave nuk është dashur që të ndodh në prag të zgjedhjeve por është dashur të ndodh vit për vit duke e përcjellur inflacionin”.

Shatri mendon se ndryshimi në linjat buxhetore, saktësisht që janë ulut 15% pagesa në mallra dhe shërbime duhet të sillet në Kuvend dhe të votohet nga deputetët.

“Në qoftë se Ministra ka llogaritur që të heq 15% tek mallra dhe shërbime  por ky ndryshim duhet të sillet në Kuvend dhe të votohet”, tha në InfoMagazinë të Klan Kosovës Haki Shatri.