Ligji për Ndërmarrjet Publike, ëndrra kosovare
Behgjet Pacolli i është gëzuar lajmit për kalimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike nga Qeveria e Kosovës. Ai thotë se ky është program për zhvillim ekomomik të fuqishëm të vendit. Kjo, sipas tij, është ide e kamotshme e AKR’së.
Lajme
Qeveria e Kosovës ka kaluar Ligjin për Ndërmarrjet Publike, e për këtë lajm ka shprehur gëzim Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.
Në llogarinë e tij në Facebook, Zëvendëskryeministri Pacolli thotë se kjo ka qenë ëndërr e kamotshme për Kosovën, ndërsa përmend zhvillimin ekonomik që do ta sjellë ky Ligj.
Thotë gjithashtu se ky Ligj do ta mbrojë djersën dhe mundin e punëtorëve kosovarë të disa gjeneratave.
“Sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka kaluar Ligji për Ndërmarrjet Publike. Kjo është sfida e parë, para se i njëjti të kalojë edhe në Kuvend. Në fakt, kjo është ëndrra jonë e kahmotshme për Kosovën. Është pjesë e programit tonë për zhvillimin ekonomik dhe të fuqishëm të vendit”.
“Është projekti dhe vizioni që garanton zhvillim dhe mirëqenie. Me anë të këtij Ligji, ndër të tjera, mundësohet që disa ndërmarrje të rëndësishme të tërhiqen nga AKP, rrjedhimisht të tërhiqen nga procesi i shitjes, për t’ju nënshtruar pastaj një procesi tjetër të rivitalizimit, zhvillimit dhe ngritjes edhe më të fuqishme të tyre”.
“Ato do të jenë pronë e Kosovës dhe qytetarëve të saj, sepse në bazamentin e tyre qëndron djersa dhe mundi i punëtorëve tanë në disa gjenerata. Ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të rëndësishëm në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe aq të nevojshëm të Kosovës”.
“Kjo është Kosova që e duam. Kjo është ideja ime dhe e AKR’së qe sa kohë, dita e së cilës i erdhi. Jam i bindur se Parlamenti i Kosovës do të veprojë me përgjegjësi dhe do ta miratojë këtë Projektligj”, ka shkruar Kryetari i AKR’së, Behgjet Pacolli.