Haradinaj: Koalicion me gjithkënd tjetër por jo me Thaçin
Ramush Haradinaj thotë se Qeveria duhet të rrëzohet dhe se AAK s'do të heqë dorë nga mocioni për rrëzimin e saj. Ai pohon se AAK është e gatshme të bëjë koalicion me secilën parti, përveç PDK'së. E Prishtina, sipas tij, u qeveris keq me Isa Mustafën.
Lajme
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se zgjedhjet e përgjithshme duhet të mbahen sa më shpejt që është e mundur.
Haradinaj jep edhe arsyet e tij në një intervistë për Kosovapress pse duhet të rrëzohet kjo Qeveri.
“Qeveria duhet të rrëzohet, Aleanca nuk do të heqë dorë nga mocioni i saj për rrëzim te Qeverisë”.
“Me secilën parti jemi të gatshëm të bëjmë koalicion përpos me PDK’në”.
“Unë mendoj se për PDK është me dobi të shkojë në opozitë pas këtyre zgjedhjeve, kjo dihet përafërsisht, PDK është mirë të kalojë në opozitë, ndërsa pjesa tjetër e politikës duhet të analizohet në bazë të ndryshimeve pozitive”.
“Kosova nuk e ka luksin e ndonjë status-quo të mëtejme, duhet të bashkohen ata njerëz që janë për ndryshime rrënjësore në vend”.
“Ne nuk synojmë një koalicion të tillë (me PDK), nuk e kemi në opsion këtë, mendoj vetvetiu se qeverisja disavjeçare e ka konsumuar PDK’në dhe mendoj se është në dobi të Kosovës që PDK të shkojë në opozitë”.
Lideri i AAK’së është shprehur se me Qeverinë Thaçi nuk mund të ketë liberalizim, meqë, sipas tij, ka skandale milionëshe edhe në dikasteret ministrore si rasti i pasaportave biometrike në MPB.
Haradinaj thotë se asnjë Qeveri më të korruptuar nuk ka pasur Kosova se Qeveria Thaçi dhe shton se korrupsioni në Kosovë është ngritur në etapa të ndryshme.
Sa i përket reformës zgjedhore, ai deklaron se jo s’u bë sepse s`kishte vullnet politik.
Ndërsa për Tribunali për UÇK’në thotë se as që duhet të mendohet.
Haradinaj nuk ka hedhur poshtë mundësinë e bashkëpunimit me subjektin e ri politik, NISMA.
“Jam i gatshëm të bashkëpunoj, por edhe të qeveris bashkë me Fatmir Limajn e Jakup Krasniqin”.
Është kritik edhe ndaj Kryetarit të LDK’së, Isa Mustafës.
“Prishtina u qeveris keq me Isa Mustafës, e Shpend Ahmetit duhet t`i jepet një mundësi për ta dëshmuar veten”.