NATO: Për të ardhmen e FSK’së vendos Kosova
Një zyrtar i NATO’s thotë për lajmi.net se Aleanca është duke e mbështetur FSK’në brenda mandatit që ka dhe për çdo ndryshim të misionit të saj, i përket Këshillit Veri-Atlantik të vendosë për nivelin e angazhimit të Aleancës në Kosovë, në të ardhmen.
Lajme
Aleanca Veri-Atlantike (NATO) e ka lënë në duar të kosovarëve të ardhmen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në ditën kur Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë të ditur vendimin për themelimin e Forcës së Armatosur të Kosovës, një zyrtar nga selia e NATO’s në Bruksel ka thënë për lajmi.net se e ardhmja e FSK’së është çështje për të cilën duhet të vendosin vetë institucionet e Kosovës.
Sipas këtij zyrtari, NATO është duke e mbështetur FSK’në brenda mandatit që ka dhe për çdo ndryshim të misionit dhe mandatit të saj, i përket Këshillit Veri-Atlantik të vendosë për nivelin e angazhimit të Aleancës në Kosovë, në të ardhmen.
“Struktura, mandati dhe misioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk është çështje për të cilën vendos NATO. E ardhmja e FSK’së është çështje e brendshme për institucionet vendore të Kosovës. NATO aktualisht mbështet zhvillimin e FSK’së brenda misionit dhe mandatit të vet origjinal, nëpërmjet Ekipit Ndërlidhës deh këshillëdhënës të NATO’s, të themeluar së fundmi”, ka thënë ky zyrtar.
“NATO është duke e mbështetur FSK’në brenda mandatit të vet origjinal siç është përshkruar në Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës të vitit 2007. Këto detyra gjithashtu janë të përcaktuara në Ligjin për FSK’në, nga ku është nxjerrë misioni i FSK’së. Ndihma e NATO’s për FSK’në është e fokusuar në ndërtimin e kapaciteteve dhe në trajnim. NATO gjithashtu lehtëson zhvillimin e vazhdueshëm profesional të FSK’së. Nëse mandati dhe misioni i FSK’së ndryshon, ne presim që Këshilli Veri-Atlantik ta rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO’s”, ka thënë për lajmi.net ky zyrtar i selisë së NATO’s.