Krasniqi i gatshëm: Jap dorëheqje nëse kërkon PDK

Jakup Krasniqi thotë se nuk do të jap dorëheqje nëse këtë nuk e kërkon PDK. Ndryshe ai thotë se nuk largohet, pasi nuk do që t'i shkaktojë vendit krizë institucionale. PDK, në anën tjetër, aktualisht nuk ka një disponim për largimin e Krasniqit.

Lajme

03/03/2014 11:23

E ardhmja e Jakup Krasniqit në krye të Kuvendit të Kosovës është në dorën e partisë Demokratike të Kosovës.

Nëse PDK, si forca më e madhe aktuale në vend, kërkon largimin e tij, Krasniqi thotë se është i gatshëm të tërhiqet.

Por pa një kërkesë të tillë nga PDK, Krasniqi nuk e sheh të nevojshme dorëheqjen e tij, siç thotë, për të mos shkaktuar krizë institucionale.

“Sapo ta zyrtarizoi PDK kërkesën për dorëheqje, jam i gatshëm në çdo moment të largohet”.

“Kryetari i Kuvendit e ka gatishmërinë për t`u dorëhequr nëse partia më e madhe sipas Kushtetutës, e cila ka të drejtën ta ketë pozitën e Kryetarit të Parlamentit, e kërkon një gjë të tillë“.

“Ne jemi të gatshëm të japim dorëheqje”.

“Nuk dorëheqem pa e bërë kërkesën PDK për faktin se nuk dëshirojë të krijojë krizë institucionale në Republikën e Kosovës. Kjo është e vetmja e arsye”.

PDK, në anën tjetër, nuk po e sheh të nevojshme tash për tash largimin e Krasniqit nga pozita e Kryeparlamentarit.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës të enjten nuk do të mbajë seancë për shkak të aktiviteteve që do të mbahen për Epopenë e UÇK-së me 5,6 dhe 7 mars.

“Ju njoftoj që në këtë javë nuk do të kemi seancë plenare. Seancë plenare do të mbajmë të enjten e radhës për shkak të 5, 6 dhe 7 marsit për arsye se secili nga ne ka nga një aktivitet”.

Sa i përket shkrimeve për shpenzimet e të Kuvendit të Kosovës, Krasniqi s’është ndarë i kënur.

Kjo, pasi ai konsideron se të gjitha raportet mbi shpenzimet e Kuvendit të bërë nga auditorët kanë dalë në rregull.

“ Buxheti I Kuvendit të Republikës së Kosovës, në buxhetin e tërësishëm të Kosovës, është 0.7 %”.

“Të gjitha raportet e auditimit të përgjegjshëm shpenzimet e buxhetit të Kuvendit i kanë konsideruar si të shfrytëzuara në mënyrë të rregullt”.

“Shkrimet e disa medieve siç thuhet për shpenzimet marramendëse të Kuvendit, janë përpjekje për të balancuar këtë institucion me institucionet tjera që është një padrejtë e madhe e cila po i bëhet Kuvendit si institucion”.

“ Konsideroj që të gjitha mediet duhet të jenë transparente edhe në shpenzimet e tyre buxhetore, ashtu siç është Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe të jenë korrekt, siç është Kuvendi i Kosovës me mediet dhe me shoqërinë civile”.