Jakup Krasniqi i gatshëm për dorëheqje
Jakup Krasniqi shprehet i gatshëm të largohet nga pozita e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Ai thotë se kjo do të ndodhte nëse i kërkohet nga PDK, në të kundërtën, vlerëson se dorëheqja mund të shkaktonte destabilitet institucional.

Lajme
Jakup Krasniqi më në fund shfaqi gatishmërinë që të largohet nga pozita e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Krasniqi në mbledhjen e parë të Kryesisë së subjektit Nisma për Kosovën, u deklarua se është i gatshëm të jap dorëheqje nga kreu i legjislativit.
Në një komunikatë për media të këtij subjekti të ri politike, bëhet e ditur se Krasniqi do ta lirojë pozitën e Kryekuvendarit në rast një gjë e tillë i kërkohet nga partia e tij e më hershme, Partia Demokratike e Kosovës.
“Pas themelit të subjektit politik Nisma për Kosovën, Kryesia e saj në mbledhjen e mbajtur sot, shqyrtoj pozitën e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi”, thuhet në komunikatën e Nismës.
“Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma për Kosovën Jakup Krasnqi në mbledhjen e parë të Kryesisë pas themelimit të saj u deklarua se është i gatshëm të jap dorëheqje nga posti i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës”.
“Kryesia e NISMA për Kosovën pas diskutimeve erdhi në përfundim se dorëheqja e Kryetarit të Kuvendit në situatën në të cilën gjendet vendi, sidomos faktit që kemi hyr në vitin zgjedhor nuk do t’i kontribuonte stabilitetit institucional dhe politik në Kosovë”.
“Kryesia është e vetëdijshme që posti i Kryetarit të Kuvendit sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës i takon partisë që ka dal forca e parë politike, në këtë rast PDK-së, prandaj Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën dhe Kryesia e saj janë plotësisht dakord që në rast se PDK parashtron një kërkese të tillë zyrtare, Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi është i gatshëm të dorëhiqet nga posti i Kryetarit të Kuvendit”.