Ujësjellësi: Mos e depozitoni ujin në rezervuarë

Uji i cili qëndron në rezervuarët e mëdhenj që zënë shumë litra me 3 a 4 ditë i papërdorur, mund të jetë rrezik për shëndetin e qytetarëve. Ky ujë llogaritet si i pa klorifikuar, ndërsa zyrtarë të ujësjellësit thonë se s’japin përgjegjësi për këso rastesh.

Lajme

28/02/2014 11:28

Depozitimi i ujit në rezervuarë më të mëdhenj se 500 litra mund të jetë rrezik për shëndetin e qytetarëve. Kështu kanë bërë të ditur zyrtarë të ujësjellësit “Prishtina” të enjten. Sipas tyre, sasia e ujit e depozituar në këtë rezervuarë është e pasigurt për përdorim, nga fakti se ai ujë mund të qëndrojë 3-4 ditë në depozitë dhe se nuk mund të llogaritet i klorifikuar, shkruan “Koha Ditore”.

Në kompaninë rajonale të ujësjellësit (KUR) “Prishtinë” theksojnë se ata nuk marrin asnjë përgjegjësi për gjëra të tilla.

“Ne si kompani çdo ditë pune i marrim mostrat e ujit në 18 pika të qytetit. Këtë e bëjmë me qëllim të aplikimit të monitorimit të shpejtë dhe bazik, ka thënë Mjeku dhe ka shtuar se një gjë të tillë e bëjnë pa ndërprerje.

Sipas saj deri tashti analizat e ujit u përgjigjen të gjitha standardeve për ujë të përshtatshëm për pije. Por, ka thënë ajo, ujësjellësi nuk e merr asnjë përgjegjësi për cilësinë e ujit, i cili e kalon nëpërmjet rezervuarëve.

“Ne furnizojmë me ujë të pijshëm deri te ujëmatësi i konsumatorit dhe apelojmë te qytetarët që të mos instalojnë rezervuarë, sepse po na e çrregullojnë shumë edhe planin aktual të reduktimit të ujit”, ka theksuar ajo me arsyetimin se shumë shtëpi nganjëherë mund të mos e kenë orarin e saktë, siç është paralajmëruar.

Sipas Mjekut-Azizit në atë pjesë ku ka harxhim të madh dhe qarkullim nuk është shumë problem, mirëpo aty ku dikush e mbush rezervuarin më shumë se 1.000 litra ujë dhe nuk shpenzohet brenda 24 orëve, por qëndron në rezervuar me ditë të tëra, ai ujë nuk është i pijshëm.

Zëdhënësja ka theksuar se rezervuarët që janë 200 apo 500 litra dhe ku ka qarkullim të ujit e që mund të harxhohet më së largu brenda 24 orëve nuk mund të jenë problem. Problem, sipas saj, janë rezervuarët që janë më të mëdhenj ku uji pushon me ditë të tëra, ka shkruar Koha Ditore.