Hajredin Kuçi kritikon Kabinetin e Presidentes

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka akuzuar kabinetin e Presidentes Jahjaga se është duke e anashkaluar këtë ministri në raport me faljen e të burgosurve. Ai tha se falja e vetëm dy personave, nga mbi 500 sa kanë kërkuar faljen, është destimulim për ta.

Lajme

27/02/2014 16:26

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka kritikuar Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, rreth faljes së personave të burgosur me rastin e përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Kur është pyetur nga Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, se a ka ngritur hetim në lidhje me këto falje Kuçi, pasi njëri person i falur ishte sipas saj recidivist, i cili kishte kryer veprën penale të vjedhjes së rëndë më shumë se 4 herë, Kuçi është përgjigjur:

“Pasi kam marrë një informatë nga mediat dhe një telefonatë nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e cila gjatë tërë kohës, zyra e saj respektivisht, ka anashkaluar ministrinë dhe kabinetin e ministrit dhe nuk është hera e parë që ndodh kjo. Të gjithë që e kanë pasur këtë detyrë që nga koha kur kam qenë ministër nuk e kanë bërë këtë, nuk kanë kërkuar shkresa prej ministrit”.

“Por ajo që duhet të them në raportin për vlerësimin për të dënuarin paraqitës për të dënuarin e falur thuhet: Rreziku për recidivizëm ku është rubrika vlerësimi i rrezikshmërisë për recidivizëm vlerësohet të jetë i mesëm pasi ndodhet për herën e katërt për mbajtje të dënimit. Kjo ka qenë edhe në zyrën e presidentes. Kam kërkuar nga Inspektorati Korrektues i Kosovës të bëjë hetim”, ka thënë Ministri Kuçi.

Kuçi ka thënë se ka kërkuar nga Inspektorati Korrektues i Kosovës të bëjë hetim për këtë rast. Ai gjithashtu ka thënë se falja e vetëm dy personave, nga mbi 500 sa kanë kërkuar faljen, është një destimulim për ta.