Goran Rakic do të betohet para simboleve të shtetit të Kosovës

Goran Rakic nuk do të veprojë si Krstimir Pantic. Ai ka paralajmëruar se do ta bëjë betimin ashtu si e thotë ligji, ndërsa thotë se nuk do të pranojë ta vendosë flamurin e Kosovës në ndërtesën e Komunës.

Lajme

26/02/2014 17:35

Kryetari i zgjedhur i Komunës Mitrovica e Veriut, Goran Rakic, ka paralajmëruar se do të nënshkruajë dokumentet e duhura dhe do të marrë detyrën e kryetarit. Të njëjtin dokument kishte refuzuar ta nënshkruante Krstimir Pantic, për shkak se ato përmbanin simbolet e shtetit të Kosovës.

“Ne vetëm po zbatojmë marrëveshjen e Brukselit me të cilën paraprakisht është përcaktuar mënyra e nënshkrimit të dokumenteve, të cilat janë neutrale ndaj statusit” ka thënë Rakic për “Novi Magazin”.

Ai në anën tjetër ka deklaruar se në ndërtesën e komunës do të valëvitet ose flamuri i Serbisë ose as një flamur, kurse në tabelë do të shkruajë ”Komuna Mitrovica e veriut”.

Duke folur për Asociacionin e Komunave serbe të Kosovës, ai ka thënë se ajo u garanton mbijetesën serbëve në Kosovë.

“Ditëve në vijim do të bëhet gati statuti i Asociacionit të Komunave serbe dhe do të pasojë menjëherë themelimi i tij”, tha Rakic.

Ai ka shtuar se “përmes Asociacionit me ndihmën e Serbisë do të zgjidhen shumë probleme të grumbulluara”.

“Më vjen keq që kjo nuk ka ndodhur më herët”, ka thënë Rakic.

Goran Rakic është zgjedhur të dielën kryetar i Komunës së Mitrovicës së veriut.

Kryetari i zgjedhur para tij, Krstimir Pantic, kishte refuzuar më parë të nënshkruante dokumentet e betimit, të cilat mbanin simbolet e Republikës së Kosovës.