PDK: Sot mund të mos përfundojë reforma zgjedhore
Komisioni për Legjislacion mund të mos e përfundojë sot reformën zgjedhore. Kjo, sipas zv/kryetarit të këtij komisioni nga radhët e PDK’së, Behar Selimi, për shkak të disa çështjeve komplekse të cilat, sipas tij, kërkojnë vëmendje të veçantë.
Lajme
Reforma zgjedhore mund të mos jetë gati as gjatë kësaj jave. Deputeti i PDK’së dhe Zv/Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Behar Selimi, thotë se janë disa çështje komplekse të cilat kërkojnë pajtim në mes të anëtarëve të këtij komisioni.
“Kemi disa çështje të procedurave të monitorimit të procesit të votimit, përkatësisht të administrimit nga KQZ’ja. Pastaj kemi për të diskutuar edhe sa I përket votimit me kusht, gjithashtu është për t’u diskutuar edhe çështja e votës preferenciale, pra a do të votohet për pesë, shtatë apo dhjetë kandidatë“.
“Ka mbetur edhe çështja e liderëve të partive politike se a do të jenë apo jo ata në kudër të konkurrencës. Pra, këto çështje duhet t’i diskutojmë dhe të dakordohemi në takimin e sotëm”.
“Meqë këto çështje janë goxha komplekse, kërkojnë një vëmendje të veçantë dhe nuk ka nevojë për nxitim”.
Në këtë kontekst, Selimi thotë se takimi I sotëm mund të mos jetë I fundit për arsye se anëtarët e Komisionit për Legjislacion duhet t’I analizojë mirë rekomandimet e KQZ’së.
“Për këtë arsye nuk jam i sigurt se sot do të jetë mbledhja e fundit e Komisionit për Legjislacion me këtë projektligj për arsye se rekomandimet e KQZ’së na kanë ardhur para dy dite dhe ne kemi nevojë që t’i analizojmë mirë ato rekomandime dhe të dakordohemi të gjithë“.
Selimi thotë se reforma zgjedhore nuk është duke u vonuar dhe me këtë dinamikë, sipas tij, Ligji mund të jetë i gatshëm deri në qershor, kur është paraparë ët mbahen zgjedhjet.
Ndryshe sot në ora 12:00 mblidhet Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës për të punuar në çështjet që kanë mbetur të hapura në Projektligjin për Reformën Zgjedhore.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi, deklaroi një ditë më herët për lajmi.net se pret që sot ky komision ta përfundojë punën e tij dhe draftin final ta dorëzojë në Kryesinë e Kuvendit.
Sipas tij, shumica e çështjeve sa i përket reformës zgjedhore mund të konsiderohen të përmbyllura.
“Nesër do të jetë i gatshëm drafti për t’u dorëzuar në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës”.
“Besoj se nëse ka vullnet edhe nga partitë tjera kjo punë do të kryhet nesër”.