Për Vetëvendosjen, mocioni i AAK’së nuk është opozitar

Visar Ymeri ka thënë se nuk i beson iniciativës së AAK’së për mosbesimin ndaj Qeverisë Thaçi. Sipas tij, AAK po do ta rrëzojë Qeverinë vetëm si emër, ndërsa në interes të partisë së tij është rrëzimi i politikave të saj.

Lajme

24/02/2014 13:44

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, thotë se nuk ka besim në iniciativën e nisur tash e sa ditë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Sipas tij, kjo iniciativë nuk është opozitare, ashtu siç është proklamuar.

Kjo për shkak të edhe interesit të kundërt midis tyre, ngase, sipas Ymerit, ata kanë synim rrëzimin e Qeverisë Thaçi por në qendër politikave të personave brenda saj. E jo rrëzimit si Qeverisë si emër, siç thotë Ymeri se e ka AAK’ja.

“Ne si Vetëvendosje tash e tri vjet jemi duke pritur dy partitë opozitare që ta rrëzojmë këtë Qeveri, mirëpo, kjo nuk ka ndodhur”.

“Nuk është ideja vetëm të ndëshkojmë individët të cilët janë në Qeveri sot, por shumë më shumë: është ideja që të ndëshkohen politikat e këtyre personave. Kjo iniciativë nuk e ka qëllim ta ndëshkojë politikën e kësaj Qeverie por thjesht do ta rrëzojë Qeverinë si emër”.

“Nëse në një mocion të mundshëm të Qeverisë do të përmendej që kjo Qeveri rrëzohet për shkak të negociatave, për shkak të privatizimeve e për këto shkaqe, pra, ta definojmë se cilat kanë qenë të këqijat e kësaj Qeverie, atëherë do të nënkuptonte që një Qeveri e ardhshme nuk do t’i  bënte të njëjtat politika”.

“Për Vetëvendosjen dhe për Kosovën në përgjithësi nuk është në interes që ta ndërrojmë emrin e kryeministrit ndërkohë që politika të mbetet e njëjtë”.

Sa i përket mundësisë së krijimit të një Tribunali në UÇK, Visar Ymeri sheh dy probleme në këtë nismë. Ai beson në pafajësinë e UÇK’së dhe thotë që ajo duhet të mbrohet, derisa shton se ky Tribunal është jashtë kornizës legjislative të Kosovës.

“Nëse ky Tribunal është vetëm për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës siç është proklamuar të jetë, atëherë kjo është e papranueshme, për shkak se konsiderojmë që lufta e UÇK’së ka qenë edhe e drejtë edhe ka qenë luftë çlirimtare dhe Kosova duhet ta mbrojë atë luftë”.

“Në anën tjetër, një Tribunal i cili është jashtë kornizës legjislative të Kosovës ose që merret vetëm me Kosovën, prapë është i papranueshëm, për shkak se është një lloj imponimi nga jashtë dhe një lloj shkelje e obligimeve dhe të drejtave të institucioneve të Kosovës karshi vendosjes së ligjshmërisë në vend”.

“Nëse këto dy janë ato parime themeluese të tribunalit, siç është raportuar dje, për shkak se ky tribunal është i papranueshëm, për shkak se, edhe shkon në dëm të shtetësisë së Kosovës, duke shkelur shtetin e Kosovës, por edhe shkon në dëm të interesit të Kosovës duke ia keqtrajtuar historinë”, tha Visar Ymeri.