Dacic thërret për fitore të serbëve

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, kërkon mobilizim të serbëve për të zgjedhur një kandidat serb në postin e Kryetarit të Mitrovicës së Veriut. Ai u bën thirrje votuesve që të mbajnë një proces të qetë zgjedhor, kur të dielen do të dalin në votime.

Lajme

22/02/2014 17:30

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, u ka bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhjet e nesërme për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Dacic ka përsëritur pohimin që pjesëmarrja masovike e serbëve nuk do të lejonte zgjedhjen e Kryetarit shqiptar.

“Mendoj se është e rëndësishme që zgjedhjet e përsëritura për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut të mbahen në një ambient të qetë. Gjithashtu është e rëndësishme që të ketë dalje sa më të madhe të serbëve, që të mos rrezikojmë që shqiptari të jetë Kryetar i Komunës”.

Ai ka shprehur shqetësim për mungesën e kandidatit, Oliver Ivanovic, i cili gjendet në paraburgim.

“Ne kemi protestuar për këtë gjë. Mendoj që ky veprim i ka shkatërruar seriozisht legjitimitetin e gjyqësorit ndërkombëtar në Kosovë dhe kemi kërkuar që çdo i dyti serb që gjendet në paraburgim të lejohet të mbrohet në liri. Për këtë kemi dhënë garanci edhe ne si Qeveri”.

Në këtë moment, siç ka thënë Dacic, për Qeverinë e Serbisë është më e rëndësishme që të ketë më shumë pjesëmarrje në zgjedhje.

Ai vlerëson se konstituimi i Komunës do të krijonte hapësirë për Asociacionin e Komunave Serbe.

“Ky është qëllimi ynë strategjik, i cili qëndron prapa Marrëveshjes së Brukselit. Bashkësia e Komunave Serbe është organi i parë politik legjitim, legal dhe i njohur nga Prishtina, Beogradi si dhe nga Brukseli, Washingtoni dhe New York’u”.