Nxënësit në Mitrovicë i thonë “Jo” drejtoreshës politike
Nxënësit në shkollën fillore “Çajupi” në Mitrovicë kërkojnë largimin e politikës nga shkolla. Ata pretendojnë se drejtoresha e re e kësaj shkolle ka lidhje politike me partinë e cila udhëheqë në këtë komunë. ‘E duam shkollën pa politikë”, brohoritën ata sot.
Lajme
Nxënësit e shkollës fillore “Çajupi” në Mitrovicë kërkojnë dorëheqjen e drejtoreshës së re e cila, sipas tyre, është emëruar politikisht.
Ata thërrisnin emrin e drejtoreshës së tyre Melihate Meha dhe ‘E duam shkollën pa politikë”, ndërsa nuk pranuan të hynin në mësim.
Një nxënës i klasës së nëntë të kësaj shkolle, që nuk deshi ta bëj emrin publik, tha se drejtoresha Meli është ndërruar veç pse nuk është me AKR-në. Në përkrahje të tyre u panë edhe shumë prindër të cilët kundërshtonin ndryshimin në këtë shkollë, duke e cilësuar si të pa drejtë dhe politik.
Ferki Dobreva, njëri nga prindërit, tha për Kosovapress se Këshilli i prindërve të kësaj shkolle, ka nënshkruar një peticion me më shumë se 100 nënshkrime, të cilin e kanë dërguar sot në komunë dhe presin përgjigje.
“Arsimi mbi politikën. Nëse nuk kthehet drejtoresha e mëparshme, unë do ta tërheqë fëmijën tim nga kjo shkollë, dhe jam i sigurt se të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe prindërit tjerë”, ka thënë Dobreva.
Sipas tij, ndryshimet nëpër shkollat e Mitrovicës janë kryekëput politike, dhe nuk është mirë që arsimi të politizohet.
Ndërkaq, drejtoresha e deritashme Melihate Meha, u shpreh e pakënaqur me vendimin e komunës, duke thënë se një vendim i tillë është politik.
“Bashkëshorti i drejtoreshës së emëruar, Rexhep Alidemaj, dihet botërisht sa votat i ka mbledhur për Agim Bahtirin në zgjedhje, dhe si shpërblim kryetari Bahtiri ka emëruar bashkëshorten e tij, Remzije Alidemaj për drejtoreshë. Edhe vetë Remzija ka pranuar se është e detyruar të vij këtu drejtoreshë”, ka thënë Meha për Kosovapress.
Ajo potencoi se ngjashëm është vepruar edhe në shkollën e mesme të mjekësisë në Mitrovicë, pastaj në shkollat e fshatrave Koshtovë, Zhabar etj, ku janë emëruar drejtorë anëtarët e AKR-së dhe LDK-së.
Në anën tjetër, nga zyra për informim e komunës së Mitrovicës kanë bërë të ditur se komisioni për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave në Mitrovicë, duke marrë për bazë përgatitjen shkollore dhe përvojën e punës.
Sipas kësaj zyre, një vendim i tillë është i bazuar në të gjitha rregulloret dhe procedurat dhe është plotësisht ligjor.
“Ne kërkojmë nga punonjësit dhe nxënësit e kësaj shkolle që të pranojnë përzgjedhjen e drejtoreshës Alidemi, pasi ky vendim mendojmë se është i drejt, në të mirë të nxënëseve dhe gjithë stafit të kësaj shkolle, ndërsa, çdo bojkot mësimor do të ishte në dëm të nxënësve dhe punonjëseve në këtë shkollë”, kanë thënë nga kjo zyrë për Kosovapress.