Urimi i AAK’së për 17 Shkurtin

AAK uron popullin e Kosovës për Ditën e Pavarësisë. Shpreh mirënjohje për miqtë ndërkombëtarë dhe thotë se Kosovës i mbetet shuam punë për të bërë.

Lajme

16/02/2014 12:39

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ua uron qytetarëve të Kosovës dhe shqiptarëve kudo që janë 17 Shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

“Në përvjetorin e gjashtë të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, të gjithë ne kujtojmë, në radhë të parë, sakrificën e popullit tonë për lirinë dhe shtetin, punën e pandalur të gjeneratave të tëra drejt këtij synimi historik, që mori formën përfundimtare me çlirimin e Kosovës në qershorin e vitit 1999 dhe u rrumbullakua me Shpalljen e Pavarësisë së vendit, më 17 Shkurt të vitit 2008”, thuhet në urimin e AAK’së.

Në urim thuhet se “u jemi mirënjohës miqve ndërkombëtarë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleancës së NATO-s, vendeve të BE-së dhe të gjithë atyre që na mbështetën në rrugën tonë të vështirë e plot sakrifica drejt lirisë dhe pavarësisë”.

“Në 6-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke u ndjerë krenarë me vendin dhe njerëzit tanë që dhanë gjithçka për këtë ditë, në të njëjtën kohë, shohim se na mbetet edhe shumë punë për të bërë dhe shumë detyra për të mbushur, drejt synimit tonë për Kosovën vend anëtar të NATO’s, BE’së dhe vlerave të mëdha euro-atlantike”, thuhet në urimin e AAK’së.