Shpend Ahmeti suspendon nga puna 5 zyrtarë komunalë
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka suspenduar nga puna 5 zyrtarë komunalë, ndaj të cilëve Prokuroria ka ngritur aktakuzë për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe keqpërdorim të rreth 800 mijë eurove nga buxheti i Komunës.
Lajme
Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka suspenduar nga puna 5 shërbyes civil, të cilët janë të dyshuar se kanë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare dhe keqpërdorimit të rreth 800 mijë eurove të buxhetit të Komunës, raporton KTV.
Sipas KTV, 5 të suspenduarit janë zyrtarë të Komunës që ishin arrestuar më 3 maj 2011, nën dyshimet të shpërdorimit të detyrës zyrtare, keqpërdorim të rreth 800 mijë euro të buxhetit të Komunës, në projektin për ndërtimin e Kolektorit Atmosferik mbi lumin Prishtevca në lagjen Kalabria. Aktakuza ndaj zyrtarëve ishte konfirmuar në nëntor të 2012.
Në një prononcim për KTV, zyrtari për informim i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri ka thënë se këta persona derisa janë në gjykim do të marrin 50 përqind të pagës dhe nëse gjinden fajtor do të marrin edhe pjesën tjetër të pagës.
“Kryetari në bazë të nenit 69 të Ligjit për Shërbimin Civil ka marr vendimin për pezullimin e 5 zyrtarëve komunal, për të cilët Prokuroria na ka njoftuar kanë aktakuzë për vepër penale”.
“Këta persona derisa janë në gjykim do ta marrin 50 përqind të pagës së tyre, dhe nëse vërtetohet pafajësia e tyre, në fund do ta marrin edhe pjesën tjetër të pagës”, ka thënë për KTV, Adonis Tahiri.