As Kuvendi s’e di nëse kaluan ose jo rekomandimet për UP’në

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, hodhi në votim tri herë rekomandimet për UP’në. 100 deputetë ishin prezent në sallë, 53 votuan ‘për’, 4 ‘abstenuan’ ndërsa pjesa e deputetëve të koalicionit qeveritar nuk mori pjesë në votim. Por, s'dihet nëse ato kaluan.

Lajme

11/02/2014 09:59

Një situatë e paqartë ka përfshirë sot Kuvendin e Kosovës. Me kërkesë të tri partive opozitare dhe kundërshtim të koalicionit u hodhën në votim rekomandimet për krizën në Universitetin e Prishtinës.

Në sallë ishin prezent 100 deputetë, prej të cilëve ‘për’ votuan 53 ndërsa ‘abstenuan’ 4 deputetë. Partitë e koalicionit nuk morën pjesë në votim megjithëse ishin të pranishëm në seancë.

Në këtë situatë Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, fillimisht tha se rekomandimet nuk kaluan, pasi, sipas tij, një vendim i fundit i Gjykatës Kushtetuese kërkon që së paku 61 deputetë të marrin pjesë në votim, e pastaj nëse shumica voton ‘për’ atëherë vendimet mund të merren si të aprovuara.

Ndaj këtij interpretimi reagoi opozita, e cila mori si shembuj rastet tjera kur vendimet kanë kaluar në Kuvend me po kaq vota, dhe pa pjesëmarrjen e 61 deputetëve në votim.

Në këtë situatë Krasniqi i cili hodhi tri herë në votim rekomandimet e mbylli këtë pikë të rendit të ditës me vendimin që të kërkohet një mendim profesional për votimin e sotëm.

Deri atëherë, as ai e as deputetët nuk do ta dinë nëse rekomandimet kaluan apo u rrëzuan nga vota e tyre.

Para votimit pati një debat mes pozitës që kërkonte që rekomandimet të harmonizohen dhe opozitës në bllok që kërkonte votimin e tyre, pasi konsideronte se harmonizimi është bërë me deputetin e PDK’së, Ramë Vataj.

Rekomandimet e modifikuara pas zhvillimeve të fundit dhe dorëheqjeve në UP u lexuan para deputetëve nga Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri.

Ai tha se tri partitë opozitare i kanë harmonizuar këto rekomandime edhe me deputetin e PDK’së, Ramë Vataj.

“Më nuk kemi çfarë të harmonizojmë sepse vërtetë nuk kemi çfarë harmonizojmë me Grupin Parlamentar të PDK’së” .

Por, me këtë propozim nuk u pajtua Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci. Ai tha se rekomandimet nuk janë të harmonizuara dhe kërkoi që ato të harmonizohet edhe me grupin e tij parlamentar.

“Para se ne të kalojmë në votim kërkoj prej Ministrit që të na jep një informatë se çfarë mendon ai dhe a ka ai ndonjë strategji për të dalë nga kjo gjendje e krijuar”.

“Këto rekomandime janë të pa harmonizuara. Propozoj që të dalin përfaqësues të Grupeve Parlamentare dhe bashkë me gjakftohtësinë më të madhe të bëjnë rekomandime e harmonizuara për Universitetin e Prishtinës, pastaj ne si deputet jemi dakord që t’i votojmë”.

“Nga e premtja deri sot në UP kanë ndodhur ndryshime. Prandaj, ato e bëjnë të domosdoshme që ne të ulemi dhe t’i harmonizojmë qëndrimet në të mirën e këtij institucioni dhe të ndihmojmë daljen nga kjo gjendje kaotike të cilën është Universiteti”.

Krahas LDK’së edhe AAK dhe Vetëvendosje kundërshtuan propozimin e PDK’së.

Deputeti i PDK’së, Burim Ramadani, tha se debati për UP’në ka përfunduar dhe kërkoi votimin e rekomandimeve.

Rekomandimet e opozitës për UP

1. Vlerësojmë përgjegjësinë e ministrit ndaj këshillit drejtues të UP’së për mospërcjelljen më kohë të zhvillimeve në UP, dhe mosmarrjen e masave ligjore në kohë të duhur.

2. 2. Qeveria e Republikës së Kosovës të marrë hapa konkret që sa më parë të marrë hapa konkret dhe sa më parë të procedojë plotësimet dhe ndryshimet e ligjit për arsimin e lartë dhe të statutit të UP’së për të krijuar një bazë ligjore të qëndrueshme për depolitizimin e UP’së.

3. Organet kompetente duke përfshirë edhe Prokurorinë të kërkojnë përgjegjësinë dhe të vënë para drejtësisë pjesëmarrësit në veprimet e kundërligjshme të UP’së.

4. Të respektohet statusi i Universitetit të Prishtinës për zgjedhjen dhe gradimin e stafit akademik dhe të revukohen zgjedhjet dhe gradimet e pamerituara në kundërshtim me procedurat ligjore.

5. Kërkojmë nga komisioni krijuar, nga senati, që sipas fushave përkatëse të bëjë hetimin gjegjësisht verifikimin e gjithë titujve në kontekstin e respektimit të procedurave ligjore për të gjithë bartësit e funksioneve në UP nga viti 1990.

6. Komisioni i emëruar nga senati për shqyrtimin e revistave në të cilat ka publikuar stafi akademik i UP’së të informoj rregullisht komisionin parlamentar për arsim, kulturë, rini, sport, administratë publike, qeverisje lokale dhe media.

7. MASHT së bashku me UP t’I respektojnë politikat e regjistrimit në përputhje me kapacitetet akademike, fizike dhe financiare të UP’së të harmonizuara me kërkesat e tregut të punës.

8. Mos të nëpërkëmbën profesorët dhe shkencëtarët të cilët janë pjesë e UP’së, të cilët kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë punë akademike të mirfilltë shkencore. Të gjithë akterët që janë të përfshirë në këtë proces duhet të angazhohen ta ruajnë kredibilitetin dhe integritetin e mësimdhënësve në UP.