Koha vendimtare për liberalizim

Hashim Thaçi e Vlora Çitaku thonë se Kosova i ka përmbushur shumicën e kritereve për liberalizim të vizave. Sipas tyre, edhe rastet e migrimit ilegal kanë rënë dukshëm. Pohojnë se procesi ka hyrë në javët dhe muajt vendimtarë.

Lajme

20/09/2013 10:28

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkoi angazhim nga përgjegjësit e përmbushjes së kritereve të kërkuara për liberalizim të vizave. Ai ka thënë se procesi ka hyrë në javët dhe muajt vendimtarë.

Shefi i ekzekutivit tha se ky proces duhet të ngritet në nivelin më të lartë të prioriteteve dhe kërkoi nga të gjithë ministrat që të zbatojnë në përpikëri kriteret dhe rekomandimet e kërkuara nga Komisioni Evropian.

“Javët dhe muajt në vijim janë vendimtare për procesin e liberalizimit të vizave. Shumicën e kritereve tashmë i kemi zbatuar”.

“Kërkoj nga ju që të monitoroni zbatimin e kritereve dhe të kërkoni llogari nga stafi juaj në rastin e mospërmbushjes së kritereve me kohë dhe me kualitet të duhur”.

“Të mos lejojmë që për shkak të neglizhencës dhe mos angazhimit, të vonohet lëvizja e shtetasve tanë pa viza në BE”.

“Zbatimi i kritereve varet nga ne, dhe nga askush tjetër, pastaj vjen vlerësimi i zbatimit nga ekspertët e BE-së, të cilët jam më se i sigurt do të ndahen të kënaqur me punën tonë”.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku u shpreh se numri i emigrantëve ilegalë nga Kosova ka rënë dukshëm, dhe se kjo është rezultat i vetëdijesimit të qytetarëve.

“Ata tashmë e kanë kuptuar që nuk ja vlen të rrezikojnë jetën apo të shpenzojnë mjete financiare në një rrugëtim i cili përfundon me riatdhesimin e tyre në Kosovë. Pjesa tjetër e medaljes është edhe angazhimi i policisë në shkatërrimin e grupeve kriminale dhe arrestimin e të gjithë atyre që merren me këto veprime ilegale.’

“Neve do të na duhet shumë angazhim që t’i bindim shtetet e BE-së që migrimi nuk do të ndodh në të ardhmen, posaçërisht jo kur të kemi mundësinë që të udhëtojmë pa viza në vendet e BE-së”.