Ezani të largohet nga neni 4

Partia e Drejtësisë ka kërkuar edhe njëherë që të hiqet neni 4 në projektligjin për zhurmën që e cilëson thirrjen e Ezanit si zhurmë. Jeton Svirca thotë se tashmë ka marrë iniciativën nga deputetët për të ndryshuar këtë nen.

Lajme

02/02/2014 13:34

Partia e Drejtësisë ka kërkuar edhe njëherë heqjen e nenit 4 në projektligjit për zhurmën që e cilëson thirrjen e ezanit si zhurmë.

Këtë qëndrim e bëri të të qartë nënkryetari i PD-së Jeton Svirca gjatë një konference të mbajtur për media të dielën, ku u bëri apel të gjithë deputetëve të mos votojnë këtë ligj të sponsoruar nga ministri i Ambientit Dardan Gashi.

Ai tha se, tashmë, kanë marrë iniciativën, ku kanë marrë mbështetje edhe nga deputetët e tjerë për të ndryshuar këtë nen, sepse assesi Ezani nuk mund të konsiderohet zhurmë.

“PD konsideron se thirrja e Ezanit paraqet pjesë esenciale të identitetit kolektiv të myslimanëve të Kosovës dhe atë që më shumë se gjashtë shekuj pa asnjë ndërprerje dhe në këtë kuptim çfarëdo kufizimi i lirisë së përdorimit të Ezanit nga mënyra siç kjo bëhet sot do të jetë plotësisht e papranueshme për Partinë e Drejtësisë dhe do të interpretohet nga ana e saj si tjetërsim i plotë i institucioneve shtetërore nga interesa shpirtërore të shumicës absolute të qytetarëve të saj”.

Ata u kanë bërë thirrje organeve të Kuvendit që në asnjë mënyrë të mos lejojë që qëllimi legjitim i rregullimi ligjor të zhurmave në hapësirat publike të shtrihet në fushën e thirrjes së Ezanit ose përdorimit të kambanave të kishave, që paraqesin bukuri dhe pasuri të pazëvendësueshme shpirtërore dhe kulturore të Kosovës, që është dëshmi e diversitetit të saj fetar.

“Partia e Drejtësisë apelon te organet e Kuvendit të Kosovës që në asnjë mënyrë të mos lejojnë që qëllimi legjitim i rregullimit ligjor të zhurmave në hapësirat publike të mos shtrihet në fushën e thirrjes së Ezanit ose përdorimit të kambanave të kishave, që paraqesin bukuri dhe pasuri të pazëvendësueshme shpirtërore dhe kulturore të Kosovës, dëshmi të diversitetit të saj fetar si dhe përkushtimit ndaj devotshmërisë për Krijuesin e Madhërishëm”.

Ndryshe, në seancën e fundit ligji për zhurma, edhe pse u kundërshtua ashpër nga deputetët e Partisë së Drejtësisë, u miratua në lexim të pare.