Tragjedia ballkanike e Sirisë

A janë të pergatitur SHBA dhe aleatët europianë për një skenar në të cilin marrëveshja me Rusinë dështon dhe armët kimike të Sirisë nuk shkatërrohen nën kontrollin ndërkombëtar? Kjo është pyetja vendimtare morale dhe politike për Perëndimin.

Opinion

20/09/2013 02:30

Doktrina pacifisite mund të thonë ndryshe, por kombinimi i diplomacisë me kërcënimin e forcës ushtarake është taktikë shumë efektive, siç kemi parë tashmë në Siri. Ishte kredibiliteti i kërcënimit të Shteteve të Bashkuara për ndërhyrje ushtarake e cila duket se bëri që Presidenti sirian Bashar al-Assad të pajtohet me marrëveshjen e përgatitur nga aleatët e tij kryesorë, Rusia dhe, jo aq drejtperdrejt, Irani. Assad tashmë duket i gatshëm të dorëzojë armët e tij kimike në mënyrë që të mbetët në pushtet. Por, çka do të ndodhë me kredibilitetin amerikan, dhe me atë të Perëndimit, nëse dështon kjo marrëveshje?

Ujdia e arritur në mes të SHBA dhe Rusisë përhapi ndienjën e lehtësimit në shumicën e kryeqyteteve perëndimore, ku udhëheqësit politikë thjesht nuk janë të përgatitur për ndërhyrje ushtarake, edhe në rast se Qeveria e Sirisë është duke vrarë njerëzit e vet me gaz helmues (në këtë rast, marrëveshja në fakt ishte një pranim faji i Assad). Pas një dekadë lufte në Afganistan dhe Irak, Perëndimi më parë pëlqen të rrijë në shtëpi; as SHBA, as Mbretëria e Bashkuara – dhe as shumica e shteteve tjera të NATO’s – nuk duan të përfshihën në një konflikt tjetër të Lindjes së Mesme, që nuk mund të fitohet.

Vërtet, ka vetëm opsione të këqija për SHBA’në në Siri. Ndërhyrja ushtarake nuk ka ndonjë përfundim të parashikuar dhe kështu vetëm do të shtonte kaosin. Por, do të prodhohej po i njëjti rezultat nëse zgjedhin të rrijnë menjanë, dhe kredibiliteti amerikan do të lekundej fort në një rajon që vuan nga krizat, e kjo do të kishte shumë pasoja për të ardhmen. Për më shumë, përdorimi i armëve kimike do të shkaktonte eskalim të gjendjes.

Shumica e njerëzve në Perëndim e kuptojnë luftën civile në Siri si një vazhdimësi e dhunës sektare në Irak. Por, Siria nuk është Irak. Presidenti Amerikan nuk po kërkon arsyetime për të filluar ndonjë luftë; armët kimike të Assad nuk përbejnë një pretekst kapriçioz. Shkalla e dhunës në Siri thekson rrezikun e mundshëm të mosveprimit.

Sigurisht që nuk mund të mohohen rreziqet që vijnë nga një ndërhyrje ushtarake: përhapje të konfliktit në rajon, vdejke të shumë më shumë njerëzve të pafajshëm, dhe sforcimi i forcave ekstremiste në mesin e rebelëve, për të përmendur vetëm disa nga to. Por e gjithë kjo ka ndodhur më herët, dhe do të vazhdojë të ndodhë, sidomos pa një ndërhyrje ushtarake amerikane. Lufta civile do të përshkallëzohej më tej, sepse është pjesë e një gare më të madhe në mes të Iranit dhe aleatëve të saj Shia dhe Arabisë Saudite, Turqisë, dhe shteteve të tjera Suni.

Nëse SHBA nuk ishte përgjigjur ndaj përdorimit të armëve kimike nga regjimi Assad, e gjithë bota do të pyeste se sa vlen një garanci e SHBA’së kur të shkelet pa pasoja “vija e kuqe” e Presidentit Amerikan. Në Jerusalem, Tehran, dhe në kryeqytete tjera të Lindjes së Mesme, po ashtu në gadishullin korean dhe në qendra të tjera globale, pasojat do të ishin (dhe me gjasë tashmë janë) të skajshme.

Që nga fillimi i konfliktit sirian, SHBA dhe aleatët e saj europianë nuk kanë pasur strategji. A është synimi i tyre që të mbarojnë luftën civile apo të sjellin një ndryshim të regjimit? Dhe kush apo çka do të vinte në vend të Assad? Apo, a aspiron Perëndimi që të arrijë kompromis me Rusinë dhe Iranin që mban regjimin e Assad në pushtet? Synimi i fundit do të zhvendoste boshtin e politikës amerikane në Lindjen e Mesme, me pasoja të mëdha strategjike, sepse një kompromis i tillë do të mund të arrihej vetëm në korriz të aleatëve Suni të Amerikës.

Edhe nëse Rusia dhe Irani janë duke ndjekur interesa të ndryshme në mbështetjen për Assad, interesat e të dy shtetëve janë rrënjësisht të lidhur me vazhdimin e regjimit, por jo domosdosmërisht me mbijetesën politike të Assad. Për Rusinë, ndryshimi i regjimit në Siri – posti i saj i fundit ushtarak në rajon – do të ishte një humbje e hidhur; për Iranin, do të nënkuptonte humbjen e aleatit të saj më të rëndësishme në botën arabe, duke nënkuptuar izolim edhe më të thellë.

Prandaj, në kontrast me zvarritjen e Perëndimit, strategjia e aleatëve të Assad është e definuar qartë: fitore ushtarake për regjimin, e mbështetur nga furnizime të bollshme të armëve dhe, në rastin e Iranin, trupave prokurë libanezë nga Hezbollahu në terren.

Obama bëri një gabim fatal kur, për arysje të brendshme politike, vendosi që të marrë lejën e Kongresit Amerikan për një sulm të kufizuar ndëshkues ushtarak. Një humbje në Kongres – krejtësisht e parashikueshme – do të ishte një katastrofë e politikës së jashtme. Dhe, edhe pse nisma diplomatike ruse (e bazuar në propozimin e përbashkët me Iranin) bëri që të shmangët kjo katastrofë, gjithçka kishte çmimin e vet.

Ai çmim nuk është detyrimisht një rritje e prestigjit të Kremlinit. Ka një tjetër rrezik, të vertetë, që nënkuptohet nga marrëveshja mes SHBA’së dhe Rusisë.

Nuk ishte as dobësia as pafuqia që shtyti Obamën që të marrë përsipër rreziqe të mëdha. Nëse është i sukseshëm – shkatërrohen armët kimike të Sirisë, një konferencë paqeje përfundon luftën civile, një qeveri kalimtare merr pushtetin, dhe SHBA dhe Irani fillojnë negociata të drejtëpërdrejta për programin bërthamor të Iranit dhe për stabilitetin rajonal në Lindjen e Mesme – ai me të vertetë do të meritoi Çmimin Nobel të Paqes që mban.

Por, nëse dështon Obama, Siria nuk do të jetë një Irak i dytë, por me gjasë një përsëritje e fatkeqësisë boshnjake. Për vite më radhë, lufta në Bosnja dhe Hercegovina përshkallëzohej, përgjatë një “procesi diplomatik” me një seri të premtimeve të thyera, që kulmoi në masakrën e mijëra civilëve të Srebrenicës, gjoja nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara. Në fund, ndërhyrja megjithatë ishte e nevojshme.

A janë të pergatitur SHBA dhe aleatët europianë për një skenar në të cilin marrëveshja me Rusinë dështon dhe armët kimike të Sirisë nuk shkatërrohen nën kontrollin ndërkombëtar?

Kjo është pyetja vendimtare morale dhe politike për Perëndimin. Kur vjen koha, ata duhet të jenë gati me një përgjigje.

(Përktheu D.G.)

Joschka Fischer, Ministër i Jashtëm dhe Zëvendëskryeministër i Gjermanisë nga vitet 1998 deri në 2005, ishte udhëheqës i Partisë së Gjelbër Gjermane për gati 20 vjet.

(Të drejtat autoriale: Project Syndicate/Institute for Human Sciences, 2013, 
www.project-syndicate.org. lajmi.net është anëtare e rrjetit të Project Syndicate.)