Shtrati i dhimbjeve të mëdha

Renovimi i Klinikës Gjinekologjisë ka bërë që dy deri tri gra të vendosen në një shtrat. Kjo gjendje është shumë e rëndë për nënat që shkojnë aty për të sjellë në jetë fëmijët e tyre. Gjendja në këtë Klinikë i ngjan një kampi të refugjatëve.

Lajme

28/01/2014 06:41

Klinika Gjinekologjike në Prishtinë ditëve të fundit ka filluar të ngjajë në kampet e refugjatëve më shumë sesa me në një institucion, në të cilin do të duhej të kishte një kujdes të veçantë për nënat që sjellin në këtë botë fëmijët e tyre.

Gratë shtatzëna të cilat janë të shtrira në Kliniken Gjinekologjike të QKUK’së tash e sa ditë po e ndajnë shtratin e tyre me një ose me gra të tjera.

E gjithë kjo po ndodh për shkak se në këtë klinikë ka filluar rinovimi i disa reparteve, gjë që ka detyruar menaxhmentin e kësaj klinike të urdhërojë që nga dy lehona të flenë me një shtrat.

Drejtoresha e Klinikës Gjinekologjike Obstetrike, Myrvete Paqarada, thotë për lajmi.net se nënat që shkojnë për të lindur në këtë Klinikë s’mund të kthehen mbrapshtë nga doktorët, e kushte më të mira për shkak të renovimit aktualisht nuk ka.

Gjithsesi, Drejtoresha thotë se vetëm gratë të cilat janë në gjendje më të mirë vendosen që të flenë nga dy në një shtrat, ndërkaq gratë të cilat kanë kryer lindje me operacion cezarian janë të vendosura në një shtrat secila, për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore.

“Jemi detyruar për shkak të renovimit që disa reparte t’i bashkojmë edhe normalisht pacientet nuk mund t’i kthejmë mbrapshtë kur të vinë dhe më mirë i vendosim nga dy në një shtrat”.

“Në ato reparte ku ka mundësi që pacientet nuk janë në raste të rënda, i kemi vendosur nga dy (me një shtrat)\”.

“Përndryshe, lindjet që janë të kryera me operacion, gratë e operuara ato janë nga një”.

“Është e vërtetë që kohë pas kohe pacientet mundem me qenë nga dy në shtrat, por kjo nuk do të zgjatë shumë”.

Myrvete Paqarada thotë se “zgjidhje” e përkohshme nuk është më e mira. Ajo thotë se është e nevojshme që qyteti i Prishtinës të ketë një lindore të veçantë, në mënyrë që të kishte kushte dhe hapësirë të mjaftueshme për të gjitha pacientet.

Doktoresha Paqarada për këtë tollovi që është shkaktuar në Klinikën e saj, ua vë fajin edhe doktorëve të rajoneve të tjera, të cilët, edhe lindjet më të thjeshta, i dërgojnë që të kryhen në Prishtinë.

“Jo, zgjedhja më e mirë kishte me qenë sikur qyteti i Prishtinës të kishte pasur një lindore të veten, dhe ato gra që janë vetëm për të lindur, kishin lindur në lindore dhe nuk kishin pasur nevojë që të vijnë në QKUK, në institucion terciar”.

“Kemi ngarkesë, shpeshherë edhe pa nevojë nga terreni na vijnë gratë që të lindin në Prishtinë, gratë nga rajoni, nga Ferizaj, Podujeva, Drenas, ku munden që të kryhen lindjet normale”.

Problemi i vetëm i Klinikës së Gjinekologjisë nuk është vetëm numri i madh i pacientëve. Myrvete Paqarada thotë se kjo Klinikë ka një problem të madh, që është mungesa e barnave.

“Aktualisht ne kemi probleme me të cilat përballet e gjithë shëndetësia kosovare, që është mungesa e barnave. Përndryshe, probleme të tjera ne nuk kemi”.

Emine Konjuhi, e cila ishte hospitalizuar sot në Gjinekologji dhe pret që të sjellë në jetë një djalë, thotë se të ndash shtratin me 2-3 persona është e vështirë.

Ajo thotë se për të fjetur në një shtrat me një paciente tjetër, duke qenë në gjendjen që është, shtatzënë, në pritje për të lindur, është shumë vështirë.

“Jemi nga dy veta, tre veta në krevat. Është shumë ngushtë, po zori të bën çka do”.

“Po, non stop je ulur dhe duhet të dalësh të shëtisësh korridoreve, po për të fjetur jo se është shumë ngushtë”.

Gjithsesi, pacientja nuk ankohet për shërbimin e doktorëve. Ajo thotë se ata po bëjnë ç’është e mundur nga ana e tyre.

“Shërbimi është i mirë. Ato të vetën po mundohen ta bëjnë, po nuk kanë edhe këta, se shumë pacientë. Nuk kanë çfarë të bëjnë. Prej zemrës nuk dilet”.

E renovimi në Gjinekologji pritet që të përfundojë edhe pak.

Drejtoresha Myrvete Paqarada thotë se ky renovim është investimi i parë pas 40 vjetësh në këtë Klinikë.

Ajo thotë se pas këtij renovimi, normalisht që Klinika e Gjinekologjisë do të jetë në gjendje më të mirë.

“Kjo ka qenë një domosdoshmëri, në këtë klinikë që 40 vjet nuk është investuar”.

“Janë duke u investuar në gypat e kanalizimit, ne jemi shumë të lumtur”.

“Sigurisht që kjo ka me qenë më mirë, sepse nyjet sanitare kanë qenë të vjetruara, kanë pikuar dhe shpesh janë mbyllur nyjet sanitare. Normal, do të jetë shumë më mirë”.

“Këtë renovim e financon vetë QKU’ja me investime kapitale. Ne kemi pasur fat që të përfitojmë nga ky investim kapital edhe jemi me të vërtetë shumë të lumtur”, thotë Drejtoresha Myrvete Paqarada për lajmi.net.

Fotot: Petrit Rrahmani | lajmi.net

\"petrit \"petrit \"petrit\"petrit \"petrit \"petrit \"petrit \"petrit \"petrit \"petrit \"petrit