Fatmir Limaj bën vetëkritikë
Deputeti Fatmir Limaj kërkon që të formohet një Komision Hetimor për të gjitha privatizimet e bëra. Ai thotë se ka munguar vullneti politik për të çuar këtë proces përpara. Ju thotë deputetëve se s’duhet të jenë krenar për punën e tyre gjatë këtij mandati.
Lajme
Deputeti Fatmir Limaj, mendon se procesi i privatizimit në Kosovë, ka prodhuar një kundër efekt. Në vend të zhvillimit të ekonomisë, thotë ai, në Kosovë ka ndodhur e kundërta.
“Me procesin e privatizimit natyrisht pritet që ekonomia të rifreskohet të fuqizohet dhe të vazhdojë të luaj rolin kryesor në zhvillimin dhe ndërtimin e vendit”.
“E kundërta ka ndodhur me vendin tonë. Unë mendoj se ne këtu duhet të marrim shumë shembuj nga vendet e tjera, për të gjetur një zgjidhje nga ajo që ka ndodhur në Kosovë, sepse hulumtoni kudo, në çfarëdo vendi, askund nuk mund të gjeni situatë si në Kosovë”.
Limaj sot tha se është i pajtimit që të formohet një Komision Hetimor për të gjitha ndërmarrjet që janë privatizuar. Ai tha se duhet filluar të hetohen nga ndërmarrjet që janë privatizuar me spin-off special.
“Unë jam për atë që të fillohet dhe të trajtohen të gjitha privatizimet me spinoff special. Të shikohen a janë përmbushur ato kontrata dhe obligime të cilat i kanë dhënë blerësit dhe mbi bazën e saj pastaj të mbyllet një herë e mirë kapitulli i privatizimit”.
“Pajtohem plotësisht që duhet krijohet një Komision Hetimor, ama jo një Komision Hetimor për një ndërmarrje ose për një rast të veçantë. Parlamenti i Kosovës nuk guxon të bie pre e grupeve të caktuara të interesit, për të ushtruar ndikimin e tyre parcial, për motive dhe arsye të tyre”.
“Merreni si paketë, propozimi im është që të gjitha ndërmarrjet të cilat janë privatizuar me spin-off special duhet patjetër të rishikohen nga ky Parlament përmes një Komisioni Hetimor. Këtë komision mund ta bëjnë nëse e kemi përnime, duhet t’i jepet një fond, një buxhet”.
“Formimi i Komisionit Hetimor do të tregonte nëse do të duhej të futej ndonjë inspektim, për ndonjë auditim. Është Komisioni që vlerëson dhe jep rekomandime Parlamentit të Kosovës”.
Limaj mendon se punëtorët kanë të drejtë që po ankohen për privatizimin e ndërmarrjeve të tyre, por thotë se nuk ka pasur vullnet politik që ky problem të zgjidhet. Ai thotë se përgjigjen për ankesat e punëtorëve duhet t’u jap përgjigje Parlamenti.
“Nëse vazhdojmë kështu me të vërtetë ne tallemi para njerëzve që presin nga ne një zgjidhje e këtu konkretisht e kam për punëtorët”.
“Punëtorët janë të bindur se pasuria e këtij vendi nuk është privatizuar ashtu si duhet por është plaçkitur. E a është plaçkitur apo jo ky Parlament e ka për obligim të jap përgjigje, e jo Gjykata”.
“Për të zgjidhur problem, duhet vullnet politik. Me vet faktin që ne sot diskutojmë në fund të këtij mandati tregon se këtu ka munguar vullneti politik për të zgjidhur çështjen e privatizimit. Dhe unë dyshoj që kjo do të mbes vetëm në diskutim”.
Fatmir Limaj pret që Parlamenti të ketë një përbërje të re, në mënyrë që ky proces të qohet deri në fund.
Me një qasje vetëkritike, Limaj u tha deputetëve se me punën që kanë bërë në këtë mandat, pak kush mund të jetë krenar.
“Këtu pres që të vijë një përbërje e re e Parlamentit e cila është e përcaktuar dhe garanton se do ta çoj këtë proces deri në fund. E nëse i shkon këtij procesi deri në fund, atëherë jam shumë i bindur që rezultatet do të jenë në shërbim dhe në të mirën e këtij vendi.”
“Ndryshe, ky është edhe një debat shterpë, sidomos në këtë përbërje të Parlamentit që për 3 vite dhe unë besoj që nesër kur të kryejmë mandatin, pak kush ose pak gjë kemi për të thënë, që të krenohemi me atë punë që e kemi bërë”, tha deputeti Fatmir Limaj.